Vllaznia U19 nuk ia ka dalë të vijojë me fitore në ndeshjen e rradhës. Ajo është mundur 2-1 nga Tirana, në ndeshjen e luajtur mesditën e sotme në fushën “Skënder Halili” të kryeqytetit.

Në këtë mënyrë, kuqeblutë nuk arrijnë të vijojnë me rezultatet pozitive, që kanë pasur në javët e fundit. Në fakt, ndeshja ndaj Tiranës ka nisur shumë keq për ta.

Kanë qenë bardheblutë, që kanë shënuar të parët, pikërisht në minutën e 13-të me anë të Arezës. Ai ka goditur saktë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Një gol që krijoi idenë se Vllaznia U19 do të reagonte për të ndryshuar rezultatin, por nuk ndodhi kështu. Menjëherë, pas dy minutash, Qefalia do të shënonte edhe golin e dytë për Tiranën, ndërkohë që më pas Vllaznia nuk i ka ndalur përpjekjet e saj për të shënuar, qoftë edhe një gol.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, ka qenë Pjeshka, që ka shënuar, falë një penalltie, duke ndryshuar shifrat dhe me rezultatin 2-1, do të mbyllej 45-minutëshi i parë. Edhe në pjesën e dytë, Vllaznia nuk i ka ndalur përpjekjet e saj për të barazuar, por në minutën e 85-të, Kodra është ndëshkuar me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e tij më një futbollist më pak.

Kjo ia vështirësoi punën kuqebluve që u detyruan të pajtohen me humbjen, duke bërë që pas suksesit të javës së kaluar, ta humbasin këtë ndeshje.

Ndeshja u mbyll kështu dhe tashmë asgjë nuk ndryshoi deri në fund të ndeshjes, që u mbyll në shifrat 2-1, në favor të Tiranës. Ekipi i Vllaznisë duhet të “pajtohet” me këtë rezultat dhe padyshim duhet që të mendojë të ecë përpara, teksa në vazhdim e presin ndeshje të rëndësishme.
Maringlen ZHIVANI