Mirel Josa i kënaqet fitores me Laçin, por gjithashtu kërkon nga lojtarët që të shohin edhe mënyrën që i bëri shkodranët të nxirrnin në fushë një lojë të bukur. Trajneri nga kryeqyteti pret të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe këtë e shpreh në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai gjithashtu flet edhe për sulmin dhe merkaton e Vllaznisë.


Josa, si ndiheni pas kësaj fitoreje?

Normalisht që jam i kënaqur dhe kur skuadra prodhon lojë, normalisht që vjen edhe rezultati. Pavarësisht se edhe kundërshtari kishte problemet e veta në mbrojtje. Më pëlqeu durimi i lojtarëve për të marrë këtë rezultat. Ata e respektuan kundërshtarin deri në fund dhe duke bërë këtë, respektojnë dhe veten dhe gjërat e mira dalin në pah.


Një rezultat që është pjesë e vazhdimësisë pozitive që po kalon Vllaznia?

Unë nuk mund të them se fitorja është pjesë e vazhdimësisë. Normalisht çdo ndeshje duhet vlerësuar njësoj, qoftë për Kupë apo kampionat. Ne jemi tani në një rrugë të mbarë, por nuk duhet të shohim vetëm këtë, por duhet të shohim mënyrën e lojës sonë dhe çfarë na bëri ne që të jemi produktivë në këtë takim. Skuadra e qarkulloi shumë mirë topin, vuri në presion ekipin kundërshtar, pavarësisht mënyrës se si luajtën ata, me pesë apo katër mbrojtës.

Edhe goli i pësuar nuk më entuziazmon sepse shkoi 2-1 dhe loja mund të kthehej, por jam i kënaqur dhe të mos bëhemi hipokritë. Me mënyrën se si luajti skuadra, u shpreh dhe doli në sulm. Si dhe për gjëra të tjera që i kemi pasur në tri ndeshjet e kaluara, të cilat i përmirësuam me Laçin.

Çfarë ka ndryshuar te Vllaznia në vitin 2023?

Skuadra ka më shumë dëshirë për të punuar, për të arritur objektivat e tyre, pasi kanë objektiva kolektivë, por edhe individualë. Duke plotësuar kërkesat ndaj vetes dhe duke vënë veten në përgjegjësi, normalisht ngrihet dhe niveli i lojës së ekipit. Problemi është që ne duhet të luajmë më shumë me kolektivitet dhe këtë e kam parë që në seancat stërvitore, që te bisedat mes lojtarëve.

Gjërat e tjera duhen përmirësuar, probleme taktike, apo mënyra se si skuadra shprehet në sulm apo mbrojtje, këto janë gjëra që ecin paralelisht me rezultatin. Dhe mua më kënaq rezultati, fitorja, sepse skuadra ka ndeshje shumë të ngjeshura dhe kemi vetëm katër ditë për të përgatitur një ndeshje të vështirë që kemi në Ballsh, duke pasur parasysh dhe humbjen e Bylisit me Tiranën. Edhe fitorja në Kupë me Bylisin nuk ishte e lehtë.