Vllaznia është në një super formë në këtë fillim sezoni. Shkodranët kanë arritur 3 fitore në 3 ndeshjet e para të këtij viti, mes kampionatit e kupës. Ku kuqeblutë kanë shënuar 12 gola e kanë pësuar vetëm 2 të tillë. Duke treguar kështu potencialin e vërtetë dhe atë që presin të gjithë për ekipin. Duke parë edhe vetë cilësitë që mbart ekipi 9 herë kampion i vendit.

Edhe ndeshja e fundit kundër Laçit tregoi një formë sportive dhe një rezultat shumë pozitiv për ekipin e Joses. Kjo pasi fituan 4-1 kundër Laçit në raundin e 17-të të kampionatit. Do ishte dopieta e Hoxhajt dhe golat e Juriç dhe Jonuzit që vulosën gjithçka.

E dy golëshi i vlonjatit bën që për herë të parë në këtë sezon, Vllaznia të ketë një sulmues si golashënues. Kanë kaluar plot 17 javë nga nisja e sezonit dhe është hera e parë në këtë sezon që lista e golashënuesve më të mirë tek Vllaznia udhëhiqet nga një sulmues.

Pikërisht, Ardit Hoxhaj tashmë është në kuotën e 5 golave në Superiore. Duke lënë pas tek Vllaznia, Markun me 4 gola dhe Jonuzin e Kainan me nga 3 gola secili. Patjetër që kjo është diçka pozitive pasi një ekip pretendent duhet të udhëhiqet nga golat e sulmuesve.

E madje Vllaznia ka vuajtur deri më tani nga “ngërçi” që ka pasur vija e parë e skuadrës. Një fakt i tillë “ngroh” shumë në këto momente, ku sulmuesit po kalojnë një formë pozitive. E po ashtu me ardhjen e Balajt, sulmi kuqeblu bëhet me të vërtetë i frikshëm.
Endri ÇINARI