Vllaznia tashmë është zyrtarisht në javën e fundit të përgatitjeve për fillimin e kampionatit. Sezoni i ri do startojë në datën 19 gusht, por Vllaznia do zbresë në fushën e blertë në datën 20, pikërisht në ndeshjen debutuese kundër Erzenit. Shkodranët edhe këtë sezon duket se kanë pretendime madhore.

Kjo duke shikuar edhe merkaton cilësore që kanë zhvilluar kuqeblutë. Emra si: Juriç, Shehi, Marku, Vulaj , Boshnjaku apo së fundmi edhe Mala kanë shtuar shumë cilësinë tek Vllaznia. Dhe jo vetëm cilësia, por edhe eksperienca është ajo që vlerësohet tek afimet e reja. Sepse të gjithë janë futbollistë që janë sprovuar në nivele të larta të futbollit shqiptar dhe atij në rajon.

Dhe për t’u kthyer tek roza që do ketë skuadra e Vllaznisë këtë sezon, çdo repart është i dubluar. Duke filluar nga porta ku Zogoviç do ketë si kolegë dhe rivalë dhe dyshen shkodrane Qarri-Shkoza. Gurishta djathtas ka si dublim Shimajn, për të mos harruar se në atë pozicion mund të aktivizohet edhe Kruja. Mbrojtja qëndrore do jetë e përbërë nga eksperienca e Juriç, Bulatoviç dhe Shehit, ku i shtohet edhe i riu, Spahija.

Në linjën e majtë do veprojnë Hakaj dhe Smajli. Në mesfushë emra si: Marku, Boshnjaku, Jonuzi, Heriç, Vulaj dhe Alivoda pritet të kenë një rivalitet sportiv mes tyre për vendin e titullarit. Në krahët e sulmit tashmë me ardhjen e Males, do jenë edhe Latifi, Hoxhaj, Çoba dhe Pjeshka.

E ndërsa dy sulmuesit kryesor të skuadrës deri në këto momente janë: Aralica dhe Kaina. Tashmë mundësia për të zgjedhur për Josen është e madhe dhe Vllaznia duket se ka një ekip të plotë. Dhe në rast se nuk do ketë lëvizje të tjera, skuadra duket e kompletuar në çdo repart për kampionatin e ri.
Endri ÇINARI