Trajneri i Skënderbeut Mirel Josa nuk e llogarit ish-skuadrën e tij sezonin e kaluar- Vllazninë, si pretendente për titullin kampion në këtë sezon. Deklarata e trajnerit të korçarëve është bërë menjëherë pas fitores së mbrëmshme në Durrës ndaj Teutës vendase. Me këtë fitore, Skënderbeu është ngjitur në kuotën e 17 pikë duke qenë disi e shkëputur nga skuadrat e tjera. I pyetur nga gazetarët se kë sheh ai si rivalet më të mundshme në këtë sezon, Josa është shprehur: “Skënderbeut mendoj se është i qartë në objektivat që ka këtë sezon për të ruajtur titullin kampion ndërsa si rivalë të mundshëm shoh Tiranën po e po për vetë emrin dhe traditën e saj por edhe Besën që po bën një futboll të bukur por është edhe cinike në lojën e saj”.

Një deklaratë në të cilën askund nuk përmendet Vllaznia. Që do të thotë se Josa duke e njohur mirë këtë skuadër, përbërjen por edhe ambjentin që e rrethon, nuk e mendon si favorite atë. Në fakt edhe mund të ketë të drejtë. Përderisa kuqeblutë nuk kanë arritur të fitojnë ndaj skuadrave të vendit të fundit siç janë Apolonia e Tomori, çfarë mund të presësh nga ajo në përballjet me skuadrat e kreut. Megjithatë gjithçka mund të ndodhë në këtë kampionat pavarësisht se Josa se llogarit aspak pretendente Vllazninë.
www.shkodrasport.com