Gazetari Ervin Baku është ndër ata të cilët kanë patur shansin e madh në jetë ta takojnë nga afër legjendën braziliane të futbollit Pele, i cili të enjten ndërroi jetë për shkak të kancerit në zorrën e trashë. Në një intervistë për Report TV, Baku e përshkruan Pelen si një njeri shumë pozitiv dhe me vizion, pasi jo më kot u vendos për një periudhë si ministër sporti në Brazil.
“Unë falënderoj shumë Zotin, sepse e kam takuar Pelen disa herë. Ishte shumë i dashur. Takimi ka qenë gjatë shpalljes së tij si fitues nderi i Topit të Artë nga FIFA në Paris. Më thoshte “miku im shqiptar”. Atë kohë që të kushtonte të fliste në sy, nuk ishte fallso.
Për mua, është kujtimi më i bukur gjatë karrierës time si gazetar. Ai e la edhe Botërorin të përfundonte se nuk donte ta shqetësonte. Padyshim, është një trishtim. Kam një merak që nuk e kam parë në fushë, por kam kaluar dhjetëra dhe qindra orë duke parë video dhe duke e studiuar. Kot nuk ishte shembull për të tjerët dhe ministër sporti në Brazil.
Pele i dha kuptim numrit 10. Ai e transformoi futbollin në art. Ferenc Pushkash ka thënë “futbollisti më i madh i të gjitha kohërave ka qenë Di Stefano, pasi Pele ishte më shumë se kaq.
Krujf ka thënë se Pele ka luajtur përtej logjikës. Pele është futbolli, është mbreti absolut i futbollit. Nuk ka qenë ajo media atëherë, siç është sot për Messin, Ronaldon, por edhe Maradonën”,-mbylli prononcimin e tij, gazetari i njohur sportiv, Ervin Baku.
Maringlen ZHIVANI