Bylisi mbylli përgatitjet për t’u rikthyer sërish më 2 janar, kur do të rinisë minifazën në prag të pjesës së dytë të sezonit 2022-2023. Ballshiotët kanë treguar se janë një ekip me oshilacione, teksa e kanë nisur mjaft mirë, por që kanë pësuar disfata në shtëpi dhe transfertë.

E megjithatë, duket se Bylisi është në rrugë të mbarë dhe sidomos me katër pikët e kthesës në dy transfertat delikate me Egnatian dhe Erzenin. Bylisi tashmë ndodhet ende në zonën e rrezikut, e megjithatë, në Ballsh janë optimistë dhe kam besim se do ta kalojnë këtë situatë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur një nga lojtarët e talentuar të skuadrës së Bylisit, “pistoni” i krahut të djathtë, shkodrani Aleksandër Trumçi, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në Ballsh.

“U mbyll një pjesë e parë, e cila u nis mirë nga ana jonë, patëm ndalesa dhe oshilacione jo vetëm për fajin tonë, por edhe arritëm që të bënim një mbyllje me më të mirën tonë, duke marrë 4 pikë në dy ndeshje jo të lehta. Bylisi nuk i ka merituar këto pozita, por faktori psikologjik ka bërë punën e vet, ashtu sikurse në fushën tonë kemi lënë pikë dhe duhet që të merrnim më shumë.

Unë kam besim se skuadra edhe me këta elementë do të jetë shumë e fortë, ndonëse klubi do të ndërhyjë siç ka bërë çdo vit për realizimin e synimeve që ka. Ne jemi optimistë se Bylisi i pjesës së dytë të garës do të jetë një skuadër shumë më e fortë. Madje do të thosha se edhe fakti që ne e nisim në shtëpinë tonë me Kukësin është pozitiv, sepse kemi më shumë shanse qe ta nisim mbarë.

Gjithsesi, ne duhet që të nxjerrim mësime dhe të shohim përpara në vitin 2023, pse jo të synojmë që të ngjitemi sa më shumë më renditje. Unë si një nga lojtarët titullarë kam besim se do të bëjmë më të mirën”, tha Aleksandër Trumçi, që luan vitin e tij të dytë si titullar në Ballsh.