Deklaratat e Robert Levandovskit se ndoshta e ka mbyllur eksperiencën e tij te Bajern Mynih me ndeshjen e djeshme, nuk ka pëlqyer shumë në klubin bavarez. Por nëse drejtori sportiv Hasan Salihamixhiç e ka pranuar si të mirëqenë largimin e tij nga skuadra gjermane, shefi ekzekutiv, Oliver Kahn, duket se ka plane të tjera me polakun.

Ai ka bërë të qartë në fjalët e tij për “Bayerischer Rundfunk” se klubi nuk do t’i nënshtrohej këtij presioni që bën 33-vjeçari, i cili ka si qëllim ti bashkohet Barcelonës në vitet e fundit të karrierës së tij.

“Ne e njohim këtë lloj alarmizmi edhe nga e kaluara. Kjo nuk është diçka që na shqetëson. Ne i kemi bërë menaxherit të tij një ofertë dhe ai e refuzoi. Kjo është e drejta e tij. Por fakti është se ai ka një kontratë dhe ai do ta përmbushë atë. Pikë!

Ne jemi shumë të qartë kur bëhet fjalë për gjëra të tilla. Kështu funksionojnë gjërat këtu te Bajerni. Nuk ka asnjë lojtar që kalon mbi klubin”, tha ai, duke i dhënë mesazhin e qartë të Robert Levandovskit se duhej të ndryshonte planet e tij se me shumë mundësi, do të mbetej në Mynih edhe për edicionin e ardhshëm.