Astrit Hafizi ka komentuar ecurinë e Kombëtares shqiptare nën drejtimin e Rejës. Ish-trajneri shqiptar e cilëson si arritje vendin e tretë në grup për Shqipërinë, por nga na tjetër shprehet se tekniku italian duhet të merrte vetë vendimin për tu larguar nga stoli i kuqezinjve.

Në emisionin “Paso“ në “Top Albania Radio“, Hafizi shpegon se loja e ekipit tonë kombëtar nuk i jep emocion dhe shije të mirë, ndërsa shton se Reja nuk ka lënë gjurmë për ti dhënë një identitet Kombëtares.

“Vendi i tretë për mua është mjaft i mirë dhe i arrirë. Ky mund të ishte ndoshta edhe objektivi kryesor para se të fillonte edicioni.

Kështu është shprehur pjesa më e madhe e opinionit pavarësisht se gjatë rrugës erdhi një ndeshje për të arritur në “play off”. Këto largimet apo shkarkimet e trajnerëve nuk më pëlqejnë, sepse kam qenë edhe vetë trajner dhe i kam provuar në kurrizin tim.

Loja e ekipit kombëtar nuk më ka lënë një shije të mirë. Nuk kam një ndjenjë që të më çohet mishi kokrra. Një lojë duhet të ketë një ndjenjë brenda. Unë mendoj që janë 3 elementë të rëndësishëm për një skuadër futbolli. Emocioni që duhet të japi një skuadër gjatë lojës, intelekti që duhet të ketë një skuadër, apo fantazia.

Këto unë nuk i kam marrë nga ky ekip. Jemi treguar shumë herë një skuadër monotone. Pjesa më e madhe mua nuk më ka tërhequr. Kjo është shumë e vështirë për një trajner që kur lagohet nga ekipi të lërë një gjurmë.

Nëse mendojmë për Ligën e Kombëve kemi luajtur me ekipe nën nivel. Krenohemi që dolëm në vendin e parë, por harrojmë që kur luajtën në Ligën e Kombeve me Skocinë dhe Izraelin dolëm në vendin e fundit. Nuk mund të krenohemi që mundëm San Marinon dhe Andorrën, sepse me nivelin e tyre mund ti rrihnim edhe me Shpresat tona.

Një fitore me Poloninë këtu do të ishte një arritje. Ti merrnim pikë në Poloni do të ishte një arritje. Dy fitoret me Hungarinë unë nuk i kuptova nëse jemi ne më mirë se ata, apo janë ata më të dobët se ne. Dy ndeshjet e hungarezëve kanë qenë shumë të dobta ndaj nesh. Ato bëjnë anën tjetër të medaljes, barazojnë në Angli dhe fitojnë në Poloni, që nuk ka sens.

Unë e thashë që Reja nuk ka lënë gjurmë. Gjurmë është të lësh diçka gati. Ai tjetri që vjen pas tij të gjejë diçka gati. Ne krenohemi për skuadrën me veprimet mbrojtëse, që kemi 4 apo 5 lojtarë që luajnë në Serie A, kur ne në fakt kemi pësuar 13 gola. A do të largohet Reja? Mendoj që duhet ta merrte një vendim të tillë vetë”, ka thënë Astrit Hafizi.