Të mërkurën do të zhvillohet një nga takimet më të rëndësishme të këtij edicioni.

Vllaznia dhe Kamza do të përballen me njëra-tjetrën në një sfidë që mund të përcaktojë shumë në luftën për të qëndruar mes më të mirëve.

Skuadra e Julian Ahmatajt ka një epërsi prej 2 pikësh kundrejt kuqebluve dhe do të kërkojë që të paktën të mbrojë këtë distancë, megjithëse objektivi primar mbetet fitorja në “Loro Borici”.

Në takimin ndaj Luftëtarit mungoi pika më e fortë e kësaj skuadre, Sebino Plaku, dhe këtu qëndrojnë shqetësimet për Kamzën, ndërkohë që edhe Fukui është i skualifikuar.

Plaku po vuan ende nga një dëmtim në pulpë dhe është në dyshim të fortë për sfidën jetike kundër Vllaznisë.

Vetë lojtari po bën ç’të jetë e mundur për të qenë sëbashku me ekipin në Shkodër, duke kryer me rigorozitet fazën rikuperuese, megjithatë ende nuk ka ardhur “ok” i stafit mjekësor dhe kapiteni mbetet në pikëpyetje.

Trajneri Ahmataj e pranoi pa doreza pas ndeshjes më gjirokastritët se ndikimi i mungesës së sulmuesit ishte evident, jo vetëm në aspektin tekniko-taktik, por edhe në atë psikologjik, duke ditur besimin maksimal që skuadra ka tek aftësitë e numrit 9.

Nëse 32-vjeçari nuk ia del, atëherë tekniku elbasanas ka dy hipoteza: E para, të aktivizojë Filin në qendër të repartit të avancuar për të shfrytëzuar shpejtësinë e ish-lojtarit të Partizanit në kundërsulm.

E dyta, të vendosë serbin Racic në qendër të sulmit. Shtatlartësia e tij mund të ndihmojë ekipin në krosimet e larta dhe për ta nxjerrë skuadrën përpara në çaste të vështira, gjithsesi skenari më i mundshëm është rikuperimi në kohë i Sebino Plakut.