Barazimi 1-1 mes Vllaznisë dhe Universitatea Kraiovës mund të jetë dukur si një rezultat i mirë për klubin shkodran. Por edhe vetë rumunët pranojnë se barazimi përballë kuqebluve, është një rezultat që u përshtatet pasi ndeshja mund të shkonte edhe ndryshe. Nikushor Bançu, kapiteni i Kraiovës, deklaroi se ekipi i tij kishte bërë mirë për sa kohë që nuk ishte mposhtur në transfertë.
“Ne krijuam mundësi, mund ta çonim rezultatin në 2-1. Çdo gjë shkoi mirë, krijuam raste, por nuk shënuam. Nga ana tjetër, ata nuk kishin asgjë, nuk mund të thuhet se na dominuan. Është një rezultat pozitiv, është gjë e mirë që nuk humbëm, presim ndeshjen e të dielës ndaj Kluzh dhe pastaj do kemi sfidën e dytë.
Padyshim që në ndeshjen e kthimit do të jemi shumë më mirë para portës, aty ku vuajtëm sot. Ne jemi favoritë, luajmë në fushën tonë, por duhet të jemi seriozë dhe të mos e marrim lehtësisht, pasi shumë gjëra mund të ndodhin në futboll. Duhet të mësojmë nga e kaluara.
Gjëja e rëndësishme është që nuk humbëm, ka ndeshje kthimi dhe do të mund të hakmerremi. Duhet të mbyllim ndeshjen sa më shpejt në fushën tonë, nuk duhet t’i lejojmë të kenë kurajë, uroj të mos ia japim këtë shans”, tha Bançu pas sfidës në Shkodër.