Plas te Vllaznia vetëm dy ditë pas rifillimit të stërvitjes. Para seancës së djeshme, të gjithë lojtarët janë parë të ulur në fushë, në pritje të trajnerit Mirsad Jonuz. Ky i fundit, në ditën e parë pas ardhjes nga Maqedonia e Veriut është përballur me një të papritur.
Lojtarët kuqeblu kishin kërkuar një takim urgjent me administratorin Suad Lici për shkak të situatës kritike që po kalon klubi sa u përket financave, ndërkohë që këtë ia kanë shprehur fillimisht trajnerit Jonuz.
Mirëpo, administratori Lici nuk u shfaq në ambientin stërvitor për të sqaruar futbollistët dhe në këto kushte, Jonuz i ftoi ata të bënin një diskutim për kërkesat që kanë. “Panorama Sport” ndoqi të gjithë bisedën, teksa fillimisht lojtarët njohën trajnerin me situatën, duke kërkuar takimin me administratorin Lici, në të kundërt nuk do të zbrisnin në fushë.
JA KËRKESAT E LOJTARËVE
Por çfarë kërkojnë më konkretisht futbollistët? Gazeta zbulon ekskluzivisht se së pari lojtarët kuqeblu kërkojnë një garanci për katër rrogat e pamarra dhe mbi të gjitha një afat se kur do të kalojnë në llogaritë e tyre.
Gjithashtu, futbollistët duan të sqarohen nga klubi se si do të procedohet për kontratat e tyre, pasi shumicës së ekipit i skadon marrëveshja me Vllazninë më 31 maj. Dy kërkesa të tjera bazike janë edhe sa i përket akomodimit dhe ushqimit. Lojtarët e huaj dhe ata nga rrethet janë të kërcënuar për qiratë nga pronarët e banesave.
VLLAZNIA
Nga ana tjetër, ata kërkojnë që të të tria vaktet t’i konsumojnë në një restorant të vënë në dispozicion nga klubi deri në momentin kur do të mbyllet sezoni. Këto katër kërkesa duhet të plotësohen nga klubi, në të kundërt nuk ka siguri se çfarë do të ndodhë me futbollistët, të cilët mund të largohen pas 31 majit.