Pa shumë zhurmë dhe pa publicitetin e duhur, KF Shkodra U17 vazhdon të bëjë mirë në kampionatin e Kategorisë Superiore të kësaj grupmoshe.

Ajo ka arritur sot të fitojë edhe ndaj Brians në Lezhë duke marrë kësisoj fitoren e tretë rradhazi, e cila e ngjit tashmë në vendin e tretë në renditje.

Pas Tiranës dhe Vllaznisë, sot ka qenë rradha e Brians për t’u mundur nga djemtë e drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi. Në ndeshjen e luajtur në Lezhë ato kanë triumfuar me rezultatin 3-1.

Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur në barazim 0-0 ndërkohë që në minutën e 54-të ka qenë Musaraj që ka kaluar në avantazh shkodranët. Vendasit kanë barazuar tetë minuta më vonë me anë të Curajt megjithatë në pesë minutat e fundit, KF Shkodra do të shënonte edhe dy gola të tjerë që do t’i jepnin asaj fitoren.

Fillimisht ka qenë Shpuza që ka shënuar golin e dytë dhe të avantazhit ndërkohë që Kerrci në shtesë ka shënuar golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes.

Me këtë trepikësh, KF Shkodra U17 është ngjitur në kuotën e 26 pikëve dhe mban tashmë vendin e tretë në renditje, duke qenë vetëm dy pikë larg Shënkollit të vendit të dytë.
© shkodrasport.com