Isli Hidi është emri i madh që Vora kërkon për të forcuar portën.

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta se 41-vjeçarit i është bërë një ofertë konkrete nga drejtuesit e klubit dhe pritet që së shpejti të kthejë një përgjigje zyrtare.

Eksperienca e madhe e Hidit do të ishte një garanci për Vorën në Kategorinë e Dytë.

Portieri vjen pas eksperiencës tek Erzeni në sezonin e kaluar, teksa kontribuoi për rikthimin e shijakasve në Kategorinë Superiore.

Krahas portierit, mësohet se së fundmi klubi vorak është futur në bisedime edhe me mesfushorin Eristotel Koleci, i cili vjen pas aktivizimit me Burrelin në Kategorinë e Parë.

Lojtari 29-vjeçar ka qenë edhe pjesë e Kamzës në Superiore, por gjithashtu e Besëlidhjes, Besës dhe Tomorit në vitet e fundit.

Ndërkohë, Vora ka një projekt të qartë për sezonin e ri dhe përveçse kërkohet ngjitja e shpejtë në Kategorinë e Parë, klubi e ka marrë shumë seriozisht edhe çështjen e infrastrukturës, teksa në bashkëpunim me FSHF-në do të investohet në fushën ku skuadra do të bëjë stërvitje./PANORAMA-SPORT/