Teuta kërkon të vazhdojë me serinë e fitoreve edhe ndaj Vllaznisë, në ndeshjen që do të luhet sot në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Edhe pse në Durrës e dinë shumë mirë që nuk do të jetë e lehtë, sërish të besuarit e Martinit do të luftojnë për të dalë me tri pikë.

Mbrojtësi i durrsakëve, Blerim Kotobelli, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në disa ndeshje, ka folur për “Panorama Sport” në prag të duelit me shkodranët. Ai beson shumë te vazhdimësia pozitive.


Blerim, Teuta vijon formën fantastike. Sa siguri ju kanë dhënë fitoret e fundit në kampionat dhe ajo në Kupë ndaj Kukësit?

Sigurisht dy fitoret e fundit na kanë dhënë qetësi dhe kjo është reflektuar përgjatë përgatitjeve të kësaj jave. Të gjithë jemi shumë të impenjuar në stërvitje. Fitorja me Kukësin mendoj se na ka çliruar dhe më shumë. Ishte një ndeshje me rëndësi të madhe, pasi është një mundësi e mirë për Europën përmes Kupës.


Vllaznia është rivali i radhës. Çfarë Teute presim sot në fushë?

Do të jetë një ndeshje e vështirë për pozitën e ekipit në klasifikim. Ata do të kërkojnë të rikuperojnë pozicionin që kanë. Ne do të hyjmë në fushë për të bërë atë që kemi bërë deri tani në kampionat dhe do të jemi me qëllimin që të arrijmë objektivat tona dhe të ngrihemi sa më shpejt lartë në renditje.


Shkodranët luftojnë për titull, sa të vështirë e bën për ju këtë ndeshje?

Vërtet është një ndeshje e vështirë, pasi Vllaznia ka një ekip mekualitet. Gjithsesi, skuadra ështëshumë e përqendruar. Duke dhënë maksimumin në këtë takim jam i bindur që Teuta do të vijojë me rezultate pozitive.


Në këtë fazë të kampionatit, a mendoni se Teutës i shkon për shtat edhe një pikë ndaj një rivali si Vllaznia?

Çdo ndeshje është histori më vete, prandaj dhe futbolli ështëi bukur. Fitorja është thelbësore gjithmonë, sepse ne e kemi kërkuar, e kemi prekur dhe ia kemi dalë. Teuta luan kundër një ekipi që është pretendent për titullin kampion. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën për të fituar. Për këtë gjë po punojmë maksimalisht dhe do të vazhdojmë deri në fund në rrugën e nisur. Na del për detyrë që të sigurojmë sa më shumë pikë.


Në raport me ekipet rivale, sa shanse mendoni se ka Teuta për Europën?

Të them të drejtën është ende herët, por e shoh që kampionati është shumë i fortë dhe me rivalitet. Kështu besoj do të jetë deri në fund dhe nuk mund të flasim për shanset që kemi në këtë moment.