Juban Danja është një hap pranë fitimit të Kupës së Shqipërisë së këtij edicioni në futbollin e femrave. Ajo ka arritur të sfidojë rivalen e saj kryesore- Adën e Velipojës me të cilën është ndeshur në gjysmëfinale dhe pasi e ka mundur atë, tashmë ka edhe finalen me Kinostudion. Shumëkush e mendon të lehtë ndoshta këtë ndeshje por trajneri i Juban Danjës Kreshnik Krepi mendon ndryshe teksa për gazetën online www.shkodrasport.com do të shprehej: “Sigurisht që Ada ka qenë rivalja më e fortë për ne. Ada ka qenë skuadra për t’u mundur sepse është kampionia dhe fituesja e kupës në fuqi. Ne e mundëm atë dhe tashmë do ndeshemi me Kinostudion. Ndoshta për nga fortësia, kemi të bëjmë me një kundërshtar më të lehtë por kurrsesi unë nuk mendoj se e kemi marrë kupën. Jemi favoritë ndoshta por janë edhe 80 minuta futboll për t’u luajtur. Ashtu siç bëri surprizë The Door që eliminoi Tirana AS, një pretendente edhe kjo për fitimin e kupës, ashtu mund të ketë edhe ndonjë surprizë tjetër të pakëndshme për ne prandaj dhe duhet t’i ruhemi asaj”.

Duke iu rikthyer ndeshjes me Adën, trajneri Krepi thotë se në atë takim që ngjalli edhe shumë polemika në fund të saj, fitorja e Juban Danjës asnjëherë nuk është vënë në dyshim. “E kemi merituar plotësisht atë fitore. Kemi qenë gjithnjë në avantazh, e kemi kontrolluar lojën dhe askush nuk mund të thotë se kemi vjedhur gjë. Juban Danja tregoi se ka ekip të mirë dhe forcë për të mundur çdo kundërshtar”-ka vazhduar Krepi. Më e bukura është se në ndeshjen ndaj Adës, ka qenë i njëjti formacion si në ndeshjen e fundit të fazës së parë të kampionatit ku velipojaket patën fituar 2-1. Ndonëse presidenti i Juban Danjës dhe donatori Agim Cani kanë bërë edhe tre blerje në merkaton e janarit, tre futbolliste cilësorë kosovare, ata nuk kanë luajtur në këtë ndeshje gjysmëfinale të kupës sepse për shkak të kushteve atmosferike të motit, nuk kanë mundur të jenë pjesë e skuadrës. Por trajneri Krepi thotë se këta futbolliste, nuk do jenë në formacion as në ndeshjen finale ndaj Kinostudios sepse ai beson tek vajzat e tjera që kanë triumfuar edhe në ndeshjen e kaluar me Adën.

www.shkodrasport.com