Për boksierin shkodran Kristian Demaj vjen edhe ndeshja e tretë në boksin profesionist. Pikërisht më datën 22 mars në sallën sportive “York Hall” të Londrës do të zhvillohet takimi i parë i çerekfinale të World Series Boxing në mes ekipit vendas British Lionhearts dhe atij meksikan Mexico Guerreros, pjesë e të cilit është edhe boksieri ynë. Formati i kësaj lige gjysmëprofesioniste të boksit është si ai i Champions League në futboll me ndeshje në grupe e pastaj me eliminim direkt mes ekipeve në turet çerekfinale dhe gjysmëfinale. Në ballafaqimin e së premtes, Demaj do të ndeshet me boksierin Joseph ëard nga Irlanda. Ai është një kundërshtar shumë i fortë, aktualisht i treti në ranglistën e peshën deri 85 kg ku ata konkurrojnë. Në pesë ndeshjet ku ka konkurruar këtë sezon, ai ka fituar katër (njërën prej tyre me nokaut) dhe ka humbur një. Kristian Demaj ndërkohë siç dihet ka zhvilluar deri tani dy ndeshje dhe i ka humbur të dyja duke qenë se përballë ka patur kundërshtarë shumë të fortë si bjellorusi Sergej Kuzmin dhe rusin Eduard Yakushev. Megjithatë kjo është një tjetër provë për boksierin shkodran dhe të shpresojmë në suksesin e tij të parë në boksin profesionist.
Gjergj KOLA