Shumë gjëra nuk funk sionojnë te Kukësi i këtij sezoni dhe mungesa e rezultateve nuk është krejt rastësore. Mjafton të thuhet që pas 11 javësh, një ekip që synon të fitojë të gjithë trofetë e mundshëm është në vendin e parafundit dhe rrezikon rënien, tregon për situatën në të cilën ndodhen aktualisht verilindorët.

“Panorama Sport” përpiqet t’i bëjë një analizë problemeve me të cilat është hasur Kukësi këto javë, të cilat kanë bërë edhe të mos arrijnë te rezultatet e pritshme. Nga mungesa e një bomberi, të huajt e shumtë, presioni, problemi me pagat apo ngërçi i ndeshjeve në shtëpi, janë disa nga këto arsye.

BOMBERI

Zakonisht, një skuadër pretendente ka një lojtar që spikat mbi të tjerët me golat e tij, duke zgjidhur shpesh herë edhe ndeshjen. Në Kukës, edhe pse nuk mungojnë sulmuesit cilësorë dhe me kualitet, mungon një nuhatës para portës. Mjafton të thuhet se golashënuesit më të mirë janë vetëm me nga dy gola (Barbosa, Daci, Zivkoviç dhe Basha). Bëhet fjalë për katër sulmues që kanë gjetur rrugën e rrjetës, por asnjëri nuk ka dalë mbi të tjerët për të bërë bomberin deri më tani.

TË HUAJT

Aktualisht bëhet fjalë për nëntë të huaj në skuadër, ku vetëm pesë prej të cilëve mund të luajnë së bashku njëkohësisht. Shpesh, Dobi i ka hyrë në “hak” ndonjërit duke e lënë në stol, sepse rregullorja e ka ndaluar të jetë në fushë, duke ndikuar më pas te skemat e tij në lojë. Për të mos folur më pas për komunikimin e gjuhës, i cili është një tjetër problem më vete për trajnerin dhe stafin e tij.

PRESIONI

Në Kukës është folur gjithnjë për një skuadër që nuk ka munguar presioni. Por, duket se këtë sezon është akoma edhe më i lartë. Çdo rezultat negativ dhe rrëshqitje në renditje, e rrit akoma më shumë atë, duke ndikuar edhe te performanca e ekipit në fushë. Mungesa e rezultateve ka bërë që presioni aktualisht të arrijë kulmin, sepse nga java në javë në klub presin kthesën.

PAGAT

Një profesionist paguhet për punën që bën dhe në sport, duhet të paguhesh edhe nëse nuk e bën mirë atë punë. Në Kukës, doli në pah së fundmi problemi me pagesat, me lojtarët që kishin tre muaj pa u likuiduar. Për këtë arsye kryen edhe një bojkot një ditor, por që u zgjidh shpejt. Gjithsesi, me njërën mendje te rrogat dhe me tjetrën te rendimenti në fushë, lojtarët janë ndikuar jo pak në performancën e tyre këtë sezon.

STADIUMI

Rikthimi në shtëpi duhet të ishte armë plus, por nuk po ndodh kështu me Kukësin. Skuadra nuk e ndien fare avantazhin që të jep shtëpia, pasi aty paraqiten më dobët se në transferta. Një fakt që verilindorët e kanë vuajtur jo pak, sepse nëse situata do të ishte ndryshe me avantazhin që të jep fusha, sot do të ishin një ekip që së paku do të rivalizonin me ekipet e kreut.