Artan Bano e sheh kritike situatën që po kalon Lushnja dhe mendon që me këtë ritëm investimi dhe taksat e qytetarëve po shkojnë dëm.Ish-trajneri i mirënjohur i druhet rënies nga kategoria, ndaj kërkon që “kupola” e drejtuesve të bëjë një reflektim të thellë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai i bën një analizë të gjerë për gjendjen që ka kapur futbollin lushnjar.


Ka kaluar 1/3 e kampionatit dhe Lushnja është në zonën e rënies. E priste Bano këtë gjendje?

Dihet tashmë që ne jemi pozicionuar në vendin e 11- të. Nuk e meritojmë këtë vend, duke pasur parasysh financat, 4-5 kualitete që ka ekipi në organikë dhe pozicionin gjeografik.

Çfarë duhet bërë që kjo situatë të ndryshojë?

Unë mendoj se duhet një reflektim dhe një analizë shumë e gjerë, midis presidentit dhe gjithë strukturave të klubit. Nuk është problem që një ekip ndoshta nuk ka rezultate të mira, kur i mungojnë financat. Por kur financat janë super të garantuara dhe skuadra është në vendet e fundit të renditjes, është për t’u ndaluar.


A ka fajtorë në këtë mes?

Nuk duhet medoemos të gjenden fajtorët, por të rikuperojmë sa më shpejt. Mendoj se nëse nuk do të ndryshojmë dhe të rikuperojmë situatën shumë shpejt, do ta gjejmë veten një kategori më poshtë. Dhe ky do të jetë një turp i madh, duke pasur parasysh që mbështetja e tifozërisë lushnjare është shumë e madhe. Por po e theksoj për së dyti që dhe financat janë shumë të shëndosha.

Si përfunduat në këto pozita, çfarë nuk shkon në këtë klub?

Gjithçka nis tek administrimi i klubit. Së dyti duhet të kishte njerëz profesionistë dhe të përgjegjshëm dhe e treta duhej të ishte bërë një merkato shumë herë më cilësore. Kjo nuk ka ndodhur, se është gabuar në përzgjedhjen e drejtuesve të sportklub Lushnja, por edhe e lojtarëve.

Kështu që do të vuajmë pasojat e mungesës së profesionalizmit dhe kjo duke nisur nga presidentja, që është përgjegjësja kryesore për këtë situatë, e duke vazhduar më poshtë.


Si e gjykoni ndryshimin në stol?

Nuk bëhet fjalë për një individ, sepse mund të heqësh trajnerin dhe të vendosësh një tjetër, por këtu faji nis nga lartposhtë. Kam mendimin, që duhet një analizë shumë e gjerë dhe një spastrim total te Lushnja. Duhen njerëz me përvojë dhe shumë specialistë.


Objektivat fillestare janë një “mirazh” tashmë…

Përderisa nuk ka një analizë duke nisur nga presidentja, stafi drejtues, trajnerët, futbollistët… Nuk kemi asnjë reagim nga ata. Edhe ne që jemi jashtë sportklub Lushnja, që duam rezultate pozitive, nuk kemi një tablo të qartë. Prandaj them se medoemos duhet një analizë shumë e gjerë. Në fund të fundit te Lushnja janë shumë para.

Unë e kam theksuar disa kohë më parë te “Panorama Sport”, që me një buxhet vjetor me 575 milionë lekë(të vjetër) nuk mundet dot që një ekip të jetë në vendin e 21-të apo 22-të të renditjes. Kam parasysh Superioren dhe Kategorinë e Parë. Duhet të reagojnë ata që e kanë për detyrë, që kanë përgjegjësinë maksimale.

Në fund të fundit janë para të taksapaguesve lushnjarë. Këto para ku shkojnë? Shkojnë për ekipin, për shpenzime, etj. Më duket një absurditet shumë i madh që Lushnja është në këtë renditje me kaq shumë para, me kaq shumë lekë.

Kalojmë pak tek ekipi i fushës. Si e keni parë ekipin?

Duhet të përqendrohesh te faza përgatitore, 5 seancat në javë apo 90 minuta stërvitje në ditë dhe jo të fokusohesh te reklama në “Instagram” e “Facebook”. Ka tepër fjalë dhe pa punuar. Unë e kam parandier që në ndeshjen e parë, kur jemi mundur nga Tomori, që Lushnja do të ishte në një rrezik të madh për të rënë nga kategoria. Edhe disa ishin skeptikë, ndërsa të tjerë e morën me sportivitet. Nuk i morën për bazë ndoshta fjalët tona.

Ekipi mund të mos realizojë objektivin madhor, Superioren. Por të paktën të jetë te 5 ekipet më të mira të këtij kampionati. Duke pasur parasysh financat, pozicionin gjeografik, publikun e mrekullueshëm, që e mbush stadiumin plot. Duke pasur parasysh gjithçka që ne na favorizon. Nuk është se jemi në jug, në Gjirokastër apo Sarandë, që është e vështirë për të thithur futbollistë. Futbollistë në Shqipërinë e Mesme mund të thithësh sa të duash. Në Elbasan, në Peqin, Kavajë, Durrës, Fier. Ndoshta edhe nga Vlora apo Tirana, sepse pozicioni gjeografik ta lejon që të marrësh lojtarë cilësorë.

U bënë javë që skuadra çedon, por askush nuk po reagon. Si e përktheni këtë?

Në këtë moment nuk jam shumë i qartë, po nuk pati një analizë të mirëfilltë profesionale, me njerëz profesionalë. Nuk mundet dot. Përderisa asnjë nuk prononcohet nga sportklub Lushnja, atëherë do të thotë që ekipi ka rënë në letargji dhe këto para të taksapaguesve shkojnë dëm. I gjithë investimi i shkuar dëm. Kjo që unë them është kritikë profesionale. Mua më dhimbsen Lushnja dhe publiku i mrekullueshëm. Duhet të ngremë zërin për të mirën e futbollit të Lushnjës.