Mosmiratimi I transferimit të shumës prej 15 milionë lekësh të vjetra për aspirimin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” në mbledhjen e së enjtes të Këshillit Bashkiak Shkodër, ka sjellë edhe reagimin e drejtuesve dhe pjestarëve të këtij klubi. Ka qenë drejtori Mark Kroqi ai që për mediat ka folur ashpër në këtë drejtim ndaj disa prej këshilltarëve duke thënë. “Për vetëm tre vota nuk u miratua kalimi i atij fondi nga një zë në tjetrin. Nuk e di se çfarë halli kishin ato këshilltarë që nuk e votuan këtë gjë përderisa janë lekë që nuk ia kemi kërkuar askujt por thjesht i kemi lëvizur brenda- përbrenda klubit. Me vetëm tre vota më pak, problemi i madh i aspirimit të pallatit të sportit do të vazhdojë të jetë prezent sërish. Natyrisht duke bërë që të dështojnë jo pak seanca stërvitore por edhe ndeshje për shkak të kushteve të papërshtatshme që do krijohen pikërisht prej mungesës së aspirimit të ajrit. Të shpresojmë që të paktën të mos kemi trauma për sportistët. Sa për këshilltarët që votuan kundër, më vjen ndër mend një shprehje e të madhit Gjergj Fishta e vitit 1925 kur shkruante: “Ka nga ata njerëz që flasin, flasin e gati çirren duke folur për Shqipërinë (Shkodrën) dhe në fakt këtë e bëjnë vetëm për veten e tyre”. Pavarësisht asaj çfarë ka thënë Kroqi, tashmë fondi nuk është miratuar për mungesën e duhur të votave dhe problemi I aspirimit të këtij impianti sportiv do të vazhdojë të mbesë I tillë edhe për disa kohë të tjera duke shpresuar të mos ketë pasoja tek sportistët që stërviten dhe luajnë aty.
Gjergj Kola