Federata Shqiptare e Volejbollit ka zbardhur çiftet e Kupës së Federatës për femra dhe meshkuj, aktivitet që çel sezonin e ri sportiv 2013- 2014. Sipas FSHV-së, të parat janë femrat që zbresin në parket, ndeshjet e të cilave do të zhvillohen më datat 2-3 tetor në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit me çiftet Teuta-UMB Volej dhe Tirana- Skënderbeu. Pas një jave, kalendari vijon me meshkujt më 9- 10 tetor në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet (salla numër 2). Skuadrat gjysmëfinaliste do të jenë Tirana-Vllaznia dhe Studenti- Skënderbeu, ndërsa bie në sy mungesa e Teutës e pezulluar me një vit pas bojkotit në finalen e “play off”-it të sezonit të kaluar. Gjithashtu, federata ka përcaktuar edhe datën 2 tetor, ora 12:00, të hedhjes së shortit. Sipas drejtuesve të FSHVsë, federimet do të vazhdojnë deri në fundjavë deri në konfigurimin e plotë të strukturës më 2 tetor. Ekipi i Vllaznisë do të kërkojë fitoren e këtij trofeu të parë të këtij sezoni. Fillimisht do të tentojë të kalojë Tiranën dhe pastaj me shumë mundësi do të diskutojë finalen me Studentin. Tek skuadra shkodrane siç dihet është rikthyer pas një periudhe shkëputje kapiteni Rezart Prela që është një përforcim i rëndësishëm për të. Ja kalendari i ndeshjeve të Kupës:
MESHKUJ
9 tetor
Tirana-Vllaznia 16:00
Studenti-Skënderbeu 18:00
10 tetor
Vendet III-IV 15:00
Vende I-II 17:00