Në vlerësim të kontributit të tij në sportin e mundjes klasike ku numëron mbi 10 trofe si kampion kombëtar dhe kupa republike, kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia i akordoi titullin “Mirënjohje”, mundësit Eljaz Guri.
Pak ditë më parë ai festoi 75 vjetorin e lindjes dhe Spahia zgjodhi këtë moment për ta uruar dhe njëkohësisht falenderuar për të gjithë kontributin që ka dhënë për Vllazninë dhe ngjyrat kuq e blu.
Kryebashkiaku Spahia theksoi vemendjen që i ka kushtuar vlerësimit të këtyre personaliteteve si një moment për të dhënë mesazhin e tij tek të rinjtë që sa më shumë të merren me aktivitete sportive.
Eljaz Guri ka lindur më 9 shkurt 1948 dhe në fëmijërinë e tij fillimisht merret me sportin e atletikës, e më pas nga viti 1965 fillon stërvitjen me ekipin e të rinjve të Vllaznisë në mundje. Zhvendoset tek ekipi i Partizanit ku në vitin 1969 fiton Kupën e Republikës.
Po këtë vit, në finalet e Spartakiadës II Kombëtare zuri vendin e parë duke merituar medaljen e artë. Në vitin 1970, në garat e kampionatit kombëtar individual u shpall për herë të parë kampion kombëtar në peshën e tij.
Gjatë karrierës së tij numëron 10 trofe dhe 3 medalje. Pas lënies së sportit, Eljaz Guri për një vit pikërisht më 1987 ka drejtuar ekipin e të rinjve të Vllaznisë në mundjen klasike.