Tirana nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 përballë Kastriotit në transfertë, duke shkuar në kuotën e 5 pikëve pas 4 ndeshjeve të luajtura. Trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, në prononcimin e tij për “Oversport”, nuk u shpreh i lumtur.

“Në pjesën e dytë duhej të bënim më mirë, se po tentonim nga krahët por zona e tyre ishte e mbuluar. Mendoj se nuk ka llogari duke parë kalendarin, llogari është ndeshja e radhës. Nga katër ndeshje, 3 i kemi pasur jo në fushën tonë. Duke pasur parasysh kualitetin, ne kërkojmë të përmirësohemi me top në tokë, fusha na penalizon pak.

Të mos harrojmë që jemi skuadër 50% e re. Mesfusha ishte e ndryshme nga e vitit të kaluar. Pra një skuadër e ndërtuar në ditët e fundit sigurisht ka vështirësi. Por ekipi po prodhon, por duhet të jemi më të egër te zona dhe të mendojmë këtë rast si të jetë i fundit.

Fati është prezent kudo, edhe në futboll. Unë shpresoj të mos ia lëmë fatit, të bëjmë më të mirën. Por kemi vështirësi në fund se nuk e kemi një sulmues të mirëfilltë në organikë.

Duke parë këtë kontingjent lojtarësh, mendoj se nuk mund të rrimë mbrapa. E para sepse lojtarët që janë ofensivë bëhen shumë nervoz nëse nuk bien në kontakt me topin dhe kërkohet të mos rrimë poshtë se kundërsulmin nuk e kemi të fortë. Ata që kishim vjet, ishin të vështirë për kundërshtarët, si strategji tjetër mendojmë të mos rrimë mbrapa por të luajmë me shumë takime. Për këtë e thashë me parë që lojtarët që kemi në organikë të prekin më shumë topin, pastaj sulmuesi i zonës besoj se na mungon”, tha Shehi.