Vllaznia e femrave, arriti të shkruante historinë duke u bërë skuadra e parë shqiptare, e cila arriti të bëhej pjesë e 32 ekipeve më të mira në Europë, me kualifikimin në grupet e Champions League.

Gjatë fazës së ndeshjeve kualifikuese, vajzat e Vllaznisë arritën të renditeshin të parat në grup në kuotën e 7 pikëve duke arritur 2 fitore dhe 1 barazim. Ky ekip ka arritur të bëj atë çka ekipet shqiptare të meshkujve kanë vite që duan ta arrijnë dhe kanë dështuar, këtë vit vajzat e Vllaznisë kanë bërë krenarë të gjithë shqiptarët me arritjen e tyre historike.

Në një pronocim për “Newsport.al” të presidentit të Vllaznisë së femrave Lazer Matija,është shprehur se kualifikimi i sotëm është një dhuratë për Shkodrën në saj të 100 vjetorit të klubit të Vllaznisë së meshkujve dhe 10 vjetorit të Vllaznisë së femrave.

Si po përjetohet arritja historike ne kampin e Vllaznisë?

Atmosfera këtu është fantastike. Të gjithë janë të lumtur dhe ne po festojmë të gjithë bashkë. Eshtë një arritje e të gjithëve. E meritojmë të festojmë. Ka qenë një punë e madhe e bërë nga i gjithë ekipi dhe sot arritëm një nga objektivat tanë kryesor.

Tani jeni në turin tjetër të Champions League. Kur priten të fillojnë përgatitjet e ekipit për ndeshjet e ardhshme?

Për momentin jemi në udhëtim. Me t’u kthyer në Shkodër do të fillojmë përgatitjet për turin tjetër pasi tani jemi mes më të mirave dhe vështirësia rritet. Ne duam të shkojmë sa më larg në këtë edicion. Jemi duke bërë dicka që tek meshkujt nuk është arritur dhe aq më tepër jemi në 10 vitet e para të ekipit tonë.

Cili është mesazhi juaj për ekipin, trajnerin dhe gjithë stafin e Vllaznisë?

Sot ka urime jo vetëm nga unë por nga të gjithë. I gjithë grupi dhe stafi i meritojnë urimet. Këto vajza të mrekullueshme, kanë realizuar një pjesë të ëndrrës së tyre, është dhurata më e bukur për 100 vjetorin e klubit të Vllaznisë së meshkujve dhe për 10 vjetorin krijimit të klubit të femrave. Ne synojmë të ecim akoma dhe më shumë përpara.”-tha Matija.