Kukësi shfaqet sërish cinik! Ekipi i Cungut fitoi me rezultatin 0-1 kundër Laçit. Ekipi verilindor i falet golit të William që vlen 3 pikë. Takimi ishte i ekuilibruar dhe ritmi ishte i kënaqshëm.

Të dy skuadrat u treguan agresive dhe me shpirt të lartë gare. Në fund, diferencat i bënë kualitetet, pasi pasimi i Chafik dhe qetësia e brazilianit për të përcjellë topin në rrjetë ishin për t’u duartrokitur.

Pjesa e parë mes të dy skuadrave ka qenë më e vakët. 45-minutat e para kanë qenë shumë të luftuara në mesin e fushës me lojtarët e të dy kampeve që janë munduar të shohin drejt portave respektive.

Verilindorët ishin disi më superior në % e topit, por kurbinasit ishin më të rrezikshëm. Të dy trajnerët kishin rreshtuar ekipet në mënyrën e duhur dhe nuk donin të rrezikonin shumë.

Frashëri dhe Selmani nuk kishin shumë punë, pasi futbollistët tentuan të befasonin nga largësia, por nuk ishin të saktë.

Pjesa e dytë ndryshoi dhe ritmin e lojës. Kukësi mori në zotërim fushën e lojës dhe u mundua të shihte më shumë drejt portës së Laçit. Verilindorët arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 59′. Chafik vertikalizon mjaft bukur nga mesi i fushës për William.

Top fantastik nga mesfushori francez që shtang mbrojtjen e kurbinasve me sferën e futur pas shpinës së tyre. Kontroll mjaft i topit nga lojtari brazilian që i vetëm përballë Selmanit nuk gabon.

Minutat e mbetura kthehen në një “luftë” të vërtetë, pasi kurbinasit u munduan të barazojnë, ndërsa verilindorët të gjenin golin e qetësisë. Minutat e mbetura u karakterizuan me duele të forta në fushë.

Në minutën e 85′, Shameti u largua i dëmtuar nga fusha duke i lënë vendin Harallamb Qaqit. Një shqetësim më tepër për numrin një të stolit. Kukësi me këtë fitore shkon në kuotën e 19 pikëve dhe “blindon” vendin e tretë duke iu shkëputur Laçit.

Kurbinasit marrin humbjen e dytë radhazi dhe mbeten në vendin e 4-t, 1 pikë më shumë se Flamurtari dhe Teuta. Kukësi tani e ka mendjen te ndeshja e “Selman Stërmasi” ku do të përplasen mes tyre, Partizani kundër Skënderbeut.

Eshte luajtur këtë të diel edhe sfida mes Kastriotitdhe Luftëtarin. Këto dy të fundit kanë luajtur në Fushë Krujë, aty ku të dyja skuadrat erdhën me synimin e qartë për të marrë pikë. Pjesa e parë e takimit përfundoi në barazim 0-0, teka të dyja skuadrat kanë bërë shumë pak për të gjetur golin. Por në pjesën e dytë Luftëtari shënon dy herë, duke fituar kundër Kastriotit me rezultatin 0-2.

Të parët që sulmojnë portën janë vendasit. Mziu dërgon një top në zonë, por Shkurtarj largon rrezikun, ndërsa në minutën e 9` të takimit është Okebugu që gjuan por pa arritur të jetë i saktë. Luftëtari zgjohet pas pesëmbëdhjetë minutave të para të lojës, teksa Shkurtaj dhe Milosavljev mundohet të ushtrojnë presion në portën e Kukës.

Minutat kalojnë ndërsa të dyja skuadrat ulin ritmin, ku më shumë se sa për të shënuar, ruajnë portën. Vertikalizimet e gjata dhe shpeshmazi të gabuara, bëjnë që asnjëra dhe as tjetra të mos arrijnë të shfaqi rrezik në portat respektive.

Të besuarit e Gentian Mezanit janë më aktiv në gjysmëfushën kundërshtare, por mbrojtja e Kastriotit ka ndryshuar duke treguar kujdes në çdo aksion.

Rasti më i mirë i pjesës së parë është ai i Mziut, i cili gjuan nga jashtë zone një predhë që largohet nga Ruçi, me këtë të fundit që përplaset me shtyllën, por pa rrezik. Kështu mbyllet pjesa e parë e takimit, ndërsa në të dytën Luftëtari është më kërkues.

Skuadra e Gentian Mezanit hidhet në sulm që në fillim dhe gjen golin me anë të Vasil Shkurtaj, që në të 48` shënon pasi merr një kros nga krahët. Kështu rezultatin shkon në 0-1 për Luftëtarin.

Me avantazhin në favor, skuadra e Luftëtarit rrit lojën e saj në gjysmëfushën kundërshtare. Vendasit dalin me vështirësi nga zona, teksa mundohet të luajnë nga krahët. Gjithashtu në pjesën e dytë të lojës, skuadrat shfaqin më shumë tension, teksa herë pas here lojtarët përplasen me njëri-tjetrin.

Është arbitri ai që ndërhyn disa herë për të mos lejuar përshkallzimin e situatës mes lojtarëve. Ndërkohë sa i përket lojës, gjirokastritët do të shënojnë dhe njëherë në portën e Kastriotit, duke i çuar shifrat në 0-2 dhe siguruar fitoren.

Është sërish Vasil Shkurtaj që shënon në portën e Kukës, pas një pasimi të saktë nga Xhekson në minutën e 83`. Një fitore e rëndësishme kjo për Luftëtarin që shkon në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Kastrioti mbetet në vendin e fundit pa ndryshuar pozitat.