Laçi-Vllaznia është sfida që do rikthehet në këtë javë të Superligës. Një sfidë që në vitet qëkur laçianët janë ringjitur në Superligë ka sjellur gjithmonë përballje emocionuese.

Por këto dy skuadra kanë pasur edhe shumë lojtarë të përbashkët mes tyre që kanë dalluar me fanellat e secilit ekip. “Shkodra Sport” sjell edhe formacionin e futbollistëve që kanë luajtur me të dy ekipet.

Kështu në portë është Alen Sherri. Pasi u formua, debutoi dhe kaloi 5 sezone tek kuqeblutë, në dy edicionet e fundit ka përfaqësuar kurbinasit. Ku edhe sot është ende pjesë e tyre. Mbrojtja e formuar nga emra të njohur të kampionatit tonë si: Abdurrahaman Fangaj, Renato Malota, Antonio Marku dhe Abraham.

Të gjithë këta futbollistë që kanë përfaqësuar të dy skuadrat. Madje Fangaj tek Vllaznia dhe Malota tek Laçi mund të jenë në fushë në përballjen e fundjavës. Në mesfushë futbollistë si Fjoart Jonuzi, Erjon Vucaj dhe Olsi Gocaj kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në periudha të ndryshme për të dy skuadrat.

Sulmi kompletohet me lojtarë si: Arsid Kruja, Ansi Nika dhe Ndriçim Shtubina. Të tre shkodranët përveç ekipit të vendlindjes kanë qenë edhe pjesë e bardhezinjëve. Këta janë disa nga futbollistët që kanë dalluar më së tepërmi me të dy ekipet. Pavarësisht se emrat që kanë përfaqësuar dy skuadrat janë me dhjetëra ndër vite.

Endri ÇINARI