Humbja me Islandën bën që ndeshja e të martës e kuqezinjve ndaj Moldavisë të kthehet në një sfidë direkte mes dy përfaqësueseve për të mbetur në lojë në kualifikueset e Europianit.

Çdo rezultat tjetër përveç një fitoreje do t’u jepte fund shanseve të kuqezinjve për të marrë pjesë në aktivitetin unik të shpërndarë në vende të ndryshme të Europës.

Megjithatë, në ndeshjen në “Elbasan Arena”, Shqipëria do të ketë një problem më pak për të menduar, pasi Moldavia ka humbur sot një prej lojtarëve më të mirë të saj në ndeshjen kundër Andorrës. Artur Ionita, mesfushori e njëkohësisht kapiteni i përfaqësueses moldave, është ndëshkuar me karton të kuq pasi brenda pak minutash ka marrë dy të verdhë.

Ionita është një prej lojtarëve më të shquar të përfaqësueses moldave, pasi luan në Itali në radhët e Kaljarit dhe është një titullar i rregullt atje, aq sa në këtë edicion ka luajtur 37 ndeshje për ekipin italian, duke shënuar 3 gola. /vipsport/