Portieri i talentuar shkodran Marco Molla sot ka bërë një lëvizje të rëndësishme në karrierën e tij.

Ka firmosur për klubin e Bolonjës, pjesë e të cilit do të jetë në tre vitet e ardhshme.

Drejtuesit e Pratos që kanë zotëruar kartonin e tij, më në fund janë bindur nga oferta e ardhur për këtë portier nga bolonjezët dhe kanë vendosur t’ua shesin atë.

Në fakt, për Mollën prej kohësh ka patur interesim nga shumë skuadra, madje ai është provuar edhe tek Inter, Milan, Atalanta etj por në fund, ka qenë Bolonja që përfitoi.

Për shkodranin e lindur në Itali dhe që vetëm katër ditë më parë festoi 16 vjetorin e lindjes, duket se kjo firmë në kontratë ka qenë dhurata më e bukur që ka marrë për ditëlindje.

Kemi të bëjmë me një portier shumë të talentuar i cili ka spikatur në kampionatin e 17 vjeçarëve të Italisë.

Madje, skuadra e tij- Prato ka mbërritur deri në finalen e kampionatit, finale që është luajtur ditën e enjte.

Ndonëse ajo nuk ka fituar, të gjithë specialistët kanë vlerësuar paraqitjen e këtij ekipi dhe padyshim edhe të portierit Molla.

Ky i fundit po ashtu gjatë këtyre ditëve ka marrë edhe vlerësimin si portieri më i mirë për Rajonin e Toskanës.

Të gjithë këto vlerësime padyshim që janë një plus në karrierën e tij ndërkohë që nga dita e nesërme, Marco do të jetë në Durrës për t’u grumbulluar me kombëtaren U-17 të Shqipërisë për ndeshjet e saj të rradhës.
© shkodrasport.com