Pas problemeve me pagat e prapambetura dhe marrjes së garancisë nga bashkia e Shkodrës, klubi i Vllaznisë i është rikthyer stërvitjes.

Mirëpo, futbollistët janë shumë larg formës optimale, gjë të cilën e konfirmon edhe kapiteni i kuqebluve, Gilman Lika, i cili në një prononcim për SyriTV, u shpreh se skuadra është shumë pas me stërvitje.

“ Jemi shumë vonë me kohën që kemi në dispozicion. Po bëjmë nga dy seanca stërvitore në ditë për të arritur formën. Kjo mund të sjelli probleme, pasi futbollistët marrin një ngarkesë më të madhe fizike, por na duhet të kapim formën, pasi kampionati është shumë pranë rifillimit.

Për sa i përket kontratave të lojtarëve që skadojnë më 31 maj, futbollisti shkodran është shprehur se ende nuk ka një zgjidhje.

“ Ky është një problem që e kanë të gjitha ekipet në Shqipëri edhe me sa di unë, asnjë nuk ka gjetur një zgjidhje, pasi as vetë klubet nuk janë të qarta se si do procedohet mbas 31 majit.

Në lidhje me deklaratën e trajnerit, Mirsad Jonuz, i cili kërcënoi me largim nga Vllaznia në qoftë se situata e pagave përsëritet, Lika është shprehur se ky është një problem personal i tij.

“ Sigurisht që me trajnerin diskutojmë çdo ditë për problemet, pasi jemi një familje, por për sa i përket kontratës mendoj se është një problem personal i trajnerit”, deklaroi futbollisti i Vllaznisë.