Ka qenë Paolo Maldini që ka bërë një bilanc të parë për 2021-shin e Milanit. Drejtori ka dhënë një intervistë për rrjetin “DAZN”, kur përveç kuqezinjtë, ka analizuar rivalët e Interit. Në fjalën e tij nuk kanë munguar edhe komentet në lidhje me merkaton dhe dëmtimet e shumta që kanë penalizuar ecurinë e ekipit të Piolit.

Çfarë note i jepni 2021- shit të Milanit?

Ishte një projekt i guximshëm që në gjenezë. Nuk e kishim sigurinë për t’ia dalë mbanë, u përpoqëm të krijonim diçka pozitive me ide. Kemi një histori kaq të madhe sa tifozët gjithmonë presin diçka më shumë, por duhet të harrojmë ditët e Berluskonit.

Cili është plani aktual atëherë?

Tani strategjia është e ndryshme dhe është e nevojshme të realizohet me sukses. Do të jetë një rrugë pak më e gjatë për t’u rikthyer në protagonistë, por le të themi se në krahasim me parashikimet, rezultatet erdhën pak më herët.

Mendoni se Interi ka marrë arratinë?

Interi është kampion në fuqi dhe duhet të përfshihet në mesin e favoritëve. Largimi i Kontes, Lukakut dhe Hakimit, bëri që dikush të parashikonte pasoja të rënda, por ata morën një trajner shumë të aftë dhe disa lojtarë cilësorë ndaj edhe niveli nuk ra. Në renditje mjafton të bësh disa hapa gjysmë të gabuar, ndaj duhet luftuar deri në fund me shumë vendosmëri.

Milani mund të dhurojë surprizën?

Jemi në një linjë me vitin e kaluar dhe mund të cilësohet arritje. Mbaj mend që në fillim të vitit jo të gjithë e futën Milanin në top katërshe. Duhet të kujtojmë se nga e kemi nisur, por kjo nuk do të thotë që të heqim dorë nga synimet tona, nëse ka mundësi për të fituar do të mundohemi ta bëjmë, është puna jonë dhe na e imponon ADN-ja jonë.

Çfarë i mungon ekipit për të qenë edhe më konkurrues?

Them se krahasimi me të kaluarën është i ndërlikuar për ne. Është një e kaluar kaq e lavdishme sa nuk na pëlqen shumë të peshojmë situatat. Në 20 vitet e fundit, Milan ka fituar 2 kampionate, nuk ka qenë gjithmonë një arritje e lehtë për ne, edhe me ekipin më të mirë në botë.

Keni folur me Piolin se cila mund të jetë zgjidhja për gjithë këto dëmtime?

Jo, sinqerisht jo. Po i shtyjmë lojtarët në maksimum e kjo mund të jetë një arsye. Pas pandemisë, duke luajtur çdo tri ditë, kishim të njëjtët lojtarë dhe bënim të njëjtat gjëra. Nga një vit në tjetrin mund të ndodhin gjëra të pakuptueshme, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të bëjmë një analizë të thellë të gabimeve tona.