Nuk ka zgjatur më shumë se 24 orë entuziasmi në Shkodër, në lidhje me blerjen e mundshme të tre futbollistëve të Tiranës: Gilman Likës, Bekim Balës dhe Erjon Dushkut. Të tre këta dy ditët e fundit kanë qenë në Shkodër, duke biseduar me drejtues të Bashkisë së Shkodrës, por edhe me drejtues të Vllaznisë, të cilët gjetën akordin mes tyre, që kjo treshe të vishej kuqeblu, që tani në merkaton e janarit. Por duket se kjo lëvizje drejt qytetin veriot ka bërë “xheloz” kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha, që ka thirrur stafin e tij, në orët e pasdites së ditës së mërkurë, duke marrë menjëherë masat e duhura për të gjetur fondet, që do të shlyenin rrogat e prapambetura të të gjithë futbollistëve. Madje Basha ka patur edhe një takim kokë më kokë me treshen G.Lika, Bala dhe Dushku, duke u premtuar atyre, se paraditja e së enjtes, do të jetë afati i fundit, ku jo vetëm ata, por të gjithë futbollistët e Tiranës do të likujdohen nga ana financiare, por edhe u ka premtuar mbështetje në këtë drejtim, në vazhdimësi. Kështu Vllaznia sapo kishte nisur të ndërtonte një skuadër potente, asaj i janë prishur planet në mbrëmjen e së mërkurës, kur kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka bërë lëvizjen, që pengon mbërritjen e treshes së lartpërmendur, për të mbërritur në Shkodër.

Mejdan ZHIVANI