Kamza do të luajë një ndeshje mjaft delikate këtë fundjavë, ku përballë do të ketë Laçi, ndeshje nga e cila do të synohet 3 pikshi për të siguruar matematikisht qëndrimin në Kategorinë Superiore.

Në kuadër të këtij takimi, për “Supersport” kanë folur dy futbollistët e Kamzës, Argjend Malaj dhe portieri Ilir Avdyli.

Malaj shprehet se skuadra po i luan me presion këto dy ndeshjet e fundit, ndërkohë që për Vllazninë shprehet se futbolli luhet në fushë, jo me emër.

“Na erdhi puna kështu, që luajmë këto ndeshjet e fundit me presion. Për neve finale është ndeshja me Laçin, aty mund të mbyllet çdo gjë.

Jam mirënjohës për këtë ekip që ka luajtur me fuqitë e veta, jo si të tjerët. Mendoj se e kemi potencialin që ta arrijmë objektivin e mbijetesës.

Kamza nuk është një emër i madh sa Vllaznia, por për atë që kemi treguar në fushë kemi bërë me tepër se Vllaznia.

Normalisht Shkodra ka shumë emër në Shqipëri, por po luajmë në fushë jo me emër”, u shpreh Malaj.

Portieri i Kamzës, Avdyli ka vlerësuar maksimalisht skuadrën e Laçit, por ai ka besim e skuadra e tij do të arrijë të triufmojë në luftën për mbijetesë.

“Laçi është një prej skuadrave më të qëndrueshme në vitet e fundit. Ka krijuar vazhdimësi. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë por jetike dhe duhet të japim më të mirën për të marrë maksimumin.

Epiteti “Superman” erdhi në bazë të paraqitjeve. Forma erdhi në momentet kur i duhej ekipit më tepër.

Nuk kemi mbyllur asgjë, kemi këto dy finale. Atmosfera është pozitive dhe është koha t’i japim dorën e fundit punës një vjeçare me ekipin”, u shpreh Avdyli. /vipsport/