Paradoksi i Haaland. Numrat thonë se po bëhet problem. Humbja në derbin e Mançesterit kundër United, duke përfshirë një përmbysje, zbuloi edhe një herë se diçka nuk është në rregull në një City që sapo është eliminuar nga Carabao Cup nga Southampton këtë javë.

Një mini-krizë e cila edhe pse jo aq dramatike sa ajo e Liverpool-it apo e Chelsea-t, ka larguar me tetë pikë kampionët e Anglisë nga Arsenali. Dhe në shënjestër, siç nënvizohet nga një studim nga Twenty3, përfundon… Haaland.

21 golat e Haaland mund të mos mjaftojnë. Dhe disa interpretime të numrave shpjegojnë se si pavarësisht kontributit të madh të sulmuesit, City është një ekip më i keq me norvegjezin në fushë.

Ka pasur një varësi të tepruar nga qendërsulmuesi i cili finalizon pothuajse gjysmën (45.64%) e rasteve. Dhe nuk është rastësi që rënia përkoi me rikuperimin e vështirë të norvegjezit, i cili për herë të parë që nga transferimi në Etihad ka luajtur tri ndeshje pa shënuar.

Dëshmia vjen nga derbi. Varane dhe Shaw e kufizuan atë dhe City nuk gjeti zgjidhje. Goli i Grealish ishte, në fakt, gjuajtja e vetme në portë për djemtë e Guardiola-s në Old Trafford.

Numra të tjerë që dëshmojnë për një varësi nga Haaland vijnë nga… mungesat e tij. City, pa një qendërsulmues, ishte një kooperativë e vërtetë golash. Vitin e kaluar, në javën e tetëmbëdhjetë të Premier League, pati 15 golashënues të ndryshëm.

Megjithatë, këtë sezon vetëm 10 kanë gjetur rrugën drejt rrjetës. Si përmbledhje: Kontributi i Haaland në numrin e golave ​​është i pamohueshëm, por është po aq e qartë se prania e tij ka ndryshuar disi stilin e lojës së Cityt, duke e bërë atë më të parashikueshëm.

Një ndryshim që dobësoi në mënyrë paradoksale skuadrën e Pep Guardiola-s në prodhimin e golave. Prandaj, do të jetë në dorën e teknikut, i cili tashmë ka pranuar se duhet të rregullojë diçka, të zgjidhë enigmën.