“Fitorja nuk është kurrë e dhënë, është e vështirë. Do të ishte një objektiv shumë i rëndësishëm dhe akoma më emocionues për të arritur yllin e dytë. Ta fitojmë yllin e dytë para Milanit? Le të mendojmë për veten dhe arritjen e qëllimeve tona.

Kur vesh një fanellë kaq të rëndësishme, gjithmonë ke përgjegjësi të madhe, që kërkon shumë përpjekje. Fitorja është e vetmja mënyrë për t’u mbajtur mend, fitimi i yllit të dytë do të ishte diçka e jashtëzakonshme”.

Matteo Darmian jep kështu “kushtrimin” e tij në funksion të fazës finale të kampionatit, që e sheh Interin komod në krye të tabelës. “Tri momente në rrugëtimin tim tek Interi? Mund të përmend golat që na afruan me titullin në sezonin 2020-2021, momentin e nënshkrimit dhe rrugën që na çoi në finalen e Ligës së Kampionëve në Stamboll.

Ka pasur shumë momente pikante, shpresoj të ketë edhe të tjera, – vijon ai. – ‘Interismo’ është pasion, do të thotë të jesh pjesë e një familjeje dhe projekti të rëndësishëm, gjithmonë i gatshëm për të dhënë gjithçka për kauzën. Titulli është diçka e veçantë, fitorja nuk është kurrë e lehtë, gjithçka që qëndron pas saj është punë dhe sakrificë.

Jemi një grup i mrekullueshëm, në momente vështirësie vëreni harmoninë mes nesh. A ishte largimi i Achraf Hakimit dhe ardhja e Simone Inzaghi kombinimi perfekt? Kur lojtarë të rëndësishëm si Hakimi largohen nuk është asnjëherë e lehtë. Me shumë punë, por edhe klubi bëri mirë në merkato, nuk i vuajtëm largimet. Pastaj, mos harroni se shtuam lojtarë të tjerë themelorë”.

Për eksperiencën e tij tek Interi dhe skepticizmin e tifozëve, Darmian sqaron: “Kam mbetur gjithmonë vetvetja, i vetëdijshëm për vlerën time. Siç e thashë që në ditën e parë, jam përpjekur gjithmonë të punoj shumë, duke u vënë në dispozicion të skuadrës për të arritur objektivat sezonalë”.

“Fjalë mjalti” edhe për trajnerin e zikaltërve: “Inzaghi është një person i këndshëm, si dhe trajner i madh. Ai po e dëshmon këtë, në kohën e duhur arrin të japë atë qetësi që ndonjëherë duhet për të punuar më mirë. Periudha e errët e vitit të kaluar? Në kampionat patëm shumë ulje-ngritje, nuk patëm vazhdimësinë që duhej.

Jemi një ekip i fortë, kemi qenë gjithmonë të bashkuar, në pjesën e dytë të sezonit dolën vlerat tona dhe arritëm finalen e Ligës së Kampionëve. Fusha ka dëshmuar se ne ishim çdo gjë tjetër, veçse të dobët. Humbja në finalen e Stambollit na lëndoi, sepse ishim shumë pranë realizimit të një ëndrre.

Sidoqoftë, edhe humbjet mund të na mësojnë e bëjnë mirë. E kam parë atë ndeshje shumë herë. Për fat të keq, fundi nuk mund të ndryshohet. Sa më shumë ta shikoni, aq më shumë kuptoni se kemi luajtur një ndeshje të shkëlqyer”./telesport/