Pjesa e parë e ndeshjes Vllaznia- Korabi është mbyllur me avantazhin e ngushtë 1-0 në favor të vendasve që mund edhe të kishin shënuar ndonjë gol tjetër por kanë gabuar, madje edhe nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Fatin e kësaj ndeshje e ka vendosur goli i shënuar nga kapiteni Krymi që në minutën e 2-të. Ai përfitoi nga një gabim i mbrojtësve të Korabit që në përpjekje për të pasuar tek portieri, ia dorëzojnë topin shkodranëve dhe mesfushori që mban shiritin e kapitenit në këtë ndeshje e dërgoi topin në rrjetë

Vllaznia ka patur një mundësi për të dyfishuar shifrat pasi mbrojtësi Ignat nuk ka qenë i saktë në goditjen e një 11-metërshi të akorduar në favor të skuadrës së në minutën e 26-të.

Bardulla është penguar në mënyrë të parregullt brenda zonës nga një mbrojtës dibran dhe arbitrja Rrusta tregon pikën e bardhë. Ekzekutimin e 11-metërshit e merr përsipër mbrojtësi rumun por gjuajtja e tij është pritur nga portieri Birja.

Një nisje e tillë e ndeshjes me gol, padyshim që do t’i favorizojë kuqeblutë për të arritur fitoren e tetë rradhazi në kampionat.

Vllaznia- Korabi 1-0
Krymi ‘2

Vllaznia: Qarri, Gurishta, Borshi, Ignat, Marku, Krymi, Bardulla (Gocaj 36’), Mehmedaj, Kruja, Bilali dhe Zogaj. Tr: A. Canaj

Korabi: Birja, Bogdani, Disha, Doçi, Hoxha, Hysi, Karaj, Lika, Muça, Raza dhe Reçi. Tr: D. Bubeqi