Flamurtari me sytë nga FSHF. Pas djegies së Bruno Lipit, i cili nuk mund që të federohet dot, vlonjatët kanë shpresa për tre lojtarët brazilianë. Uelder Kosta, Indio Oliveira dhe Lukas Ramos janë në pritje të një lajmi se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre. Por më shumë sesa ata, të interesuar janë drejtuesit e klubit.

Flamurtari mund t’i federojë këta lojtarë, por në FSHF po shikohet me kujdes dokumentacioni. Gjasat janë që të jetë shumë e vështirë. Burime pranë klubit vlonjat konfirmuan dje për “Panorama Sport” se shpresojnë që të federojnë ndonjë lojtar përpara ndeshjes së Kupës së Shqipërisë me Vllazninë që do të luhet nesër në Vlorë. Drejtues të klubit thonë se kanë shpresa se kjo gjë mund të ndodhë.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë, pasi në FSHF po i shikojnë letrat një e nga një. Nëse Indio Oliveira dhe Lukas Ramos do të federoheshin për ndeshjen me Vllazninë, do të ishte një zgjidhje shumë e mirë për mesfushën. Aktivizimi i Ramos do ta mbyllë disi edhe problemin e sulmit, pasi dihet që Xhevahir Sukaj nuk po aktivizohet për shkak të dëmtimit. Braziliani do të ishte një zgjidhje e duhur, në një kohë që në sulm kanë mbetur si lojtarë me eksperiencë vetëm Andi Ribaj dhe Ardit Hoxhaj.

OBJEKTIVI – Flamurtari ka si objektiv që ta kalojë këtë tur të Kupës së Shqipërisë. Në fakt, janë të gjitha mundësitë që kjo gjë të ndodhë. Në favor të vlonjatëve është rezultati i ndeshjes së parë. Flamurtari mori një barazim të vlefshëm para dy javëve në Shkodër, pasi takimi përfundoi 2-2.

Dy golat në fushë kundërshtare i favorizojnë vlonjatët. Kjo do të thotë që në ndeshjen e nesërme, Flamurtarit i mjafton edhe një barazim, 0- 0 ose 1-1, për të arritur kualifikimin. Kuqezinjtë nuk duhet ta humbasin në këtë takim. Një barazim do të bënte që të kalonin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, duke qenë edhe si një ngushëllim në këtë situatë të vështirë që po kalon klubi.

SITUATA – Flamurtari tronditet përpara ndeshjes me Vllazninë. Sikur të mos mjaftonin hallet e shumta që vlonjatët kanë, me borxhe, lojtarë të pafederuar, dëmtimet duket se po kthehen në makth. Denis Pjeshka ka bërë me “dhembje koke” trajnerin Marcelo Troisi.

Pjeshka ka ndier dhembje të forta të mesit dhe nuk mund të stërvitet dot. Lojtari duhet që t’i nënshtrohet një terapie masazhi. Gjasat janë që të mos jetë i gatshëm për ndeshjen me Vllazninë. Po ashtu në stërvitjen e djeshme nuk është stërvitur as Kenviol Kreshpa. Edhe ky i fundit është i dëmtuar. Pritet të shikohet sot për më shumë situata e vlonjatit.