Botërori i peshëngritjes që po zhvillohet në Kaliforni ka regjistruar rezultate pozitive për sportistët shqiptarë. Romela Begaj mori medaljen e artë, ndërsa Erkand Qerimaj nuk i përmbushi pritshmëritë personale me vendin e katërt, por edhe pse jashtë podiumit mbetet arritje për një vend si i yni. “Dola në vendin e katërt në botë. Besoj se për Shqipërinë, si vend i vogël që jemi, është një rezultat i madh, sepse ne nuk jemi as Amerika e as Kina që i kanë si ‘lumenj’ medaljet.

Jemi një vend i vogël, e normalisht rezultati është i madh”, tha peshëngritësi Erkand Qerimaj ne nje prononcim per Top Channel pas kthimit ne Shqiperi. Mungesa e një fizioterapisti ndikoi në paraqitjen e peshëngritësit shkodran, që synonte titullin kampion bote. Ndihma e mjekëve amerikanë, me sa duket nuk ishte e mjaftueshme. “Kisha disa bllokime muskulore, të cilat sikur të kishim pasur një fizioterapist tonin, do të kishte ndihmuar t’i kishim kaluar këto probleme më përpara. Ndaj ndodhi që unë të futesha në garë jashtë pritshmërive të mia. Në krahasim me stërvitjen isha ndryshe. Nuk ishte vetëm problemi im, sepse edhe Briken Çalja pati një problem mjekësor, për të cilin u desh të shkonte në spital”, tha Qerimaj. Stërvitja në kushte të vështira ishte një problem që u theksua dhe nga trajneri Zef Kovaçi. “Unë e quaj një rrumpallë. Ne kemi 41 orë që jemi nisur nga Amerika për t’u kthyer këtu. Vetëm kaq të them edhe duhet të më kuptoni. Evangjeli Veli ka bërë turne 3 ditë për të ardhur në Amerikë. Duket se edhe rrëmuja po gjen perfeksionim tashmë”, tha trajneri i peshëngritjes, Zef Kovaçi.