Vllaznia e femrave ësh të përballë një tjetër sfide historike, teksa të mërkurën më datë 1 shtator në orën 19:00 do të presë në stadiumin “Loro Boriçi” një emër gjigant të futbollit botëror siç është Juventusi.
Vajzat kuqeblu do të matin forcat me kampionet e Italisë, në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve, teksa takimet do të luhen me sistem vajtje-ardhje. Megi Doçi, golashënuesja e famshme e Vllaznisë rrëfen për “Panorama Sport” se si po përjetohet në ekip kjo sfidë e dyfishtë historike.
Përtej vlerësimit për emrin e madh që mbart Juventusi, Doçi thekson se Vllaznia nuk duhet të kenë aspak frikë. Lojtarja më e mirë e kampionatit shqiptar u bën gjithashtu apel tifozëve për mbështetje sa më të madhe në stadium, ndërsa premton se të gjitha vajzat do të luajnë me karakter për të marrë rezultat pozitiv.
Megi, si po e prisni ndeshjen me Juventusin?
Të them të drejtën e gjithë skuadra po e pret me shumë emocion, pasi do të përballemi me një emër gjigant të futbollit botëror. Ky është një eveniment i rrallë për futbollin shqiptar, pasi nuk të qëllon shpesh të ndeshesh me një skuadër si Juventusi, aq më tepër në një takim për Ligën e Kampioneve. Kështu që po e përjetojmë me emocion, por gjithashtu po përgatitemi shumë për këto ndeshje.
Sa e njihni kundërshtarin?
Duke qenë se është një ekip i madh, informacioni gjithashtu për këtë skuadër është i madh. Po i shikojmë dhe po i analizojmë videot e ndeshjeve të tyre, kështu që besoj se do të arrijmë në konkluzion për të nxjerrë pikat e dobëta dhe të forta.
Çfarë do të synoni në këto përballje, a besoni në një tjetër mrekulli?
Ne e dimë që do të ndeshemi me një kundërshtar me investime të mëdha, por do të bëjmë maksimumin tonë për të arritur gjithçka. Vllaznia nuk ka ardhur rastësisht deri këtu, pasi gjithçka e ka arritur me shumë mund dhe punë. Kështu që duhet të tregojmë edhe një herë që nuk kemi ardhur kot deri në këto nivele dhe do të luftojmë fort në fushë për të marrë rezultat pozitiv. Juventusi nuk është një skuadër që ne duhet ta kemi frikë.
Vërtetë ka një skuadër me lojtare shumë të mira, të cilat janë pjesë e kombëtares italiane, por ekipi i femrave nuk është në nivelet e skuadrës së meshkujve. Edhe në renditjen e UEFA-s diferencat me ne nuk janë shumë të mëdha. Në lojë ka të bëjë më shumë karakteri dhe forca që arrin të tregosh në fushë. Ne kemi treguar që karakteri është pika jonë e fortë dhe falë tij kemi arritur rezultate të mëdha në këto vite në Europë. Tifozëria shkodrane ka treguar që di t’i qëndrojë afër edhe skuadrës së femrave.
Cili është mesazhi apo apeli juaj për tifozët në prag të kësaj ndeshjeje kaq të rëndësishme?
Është fakt që tifozët shkodranë janë lojtari i 12-të në fushë për ne. Prezenca e tyre në këtë takim do të ishte një mbështetje shumë e madhe për ne, kështu që dua t’u bëj thirrje të gjithë tifozëve që të jenë pranë nesh në këto momente sepse kemi nevojë për ta. Ndërsa ne do të japim maksimumin, që në fund të lojës ata të jenë të lumtur që erdhën për të na parë. Ndeshja e parë siç dihet është në “Loro Boriçi”.
Këtë e shikoni si avantazh apo disavantazh?
Mendoj që është një avantazh për ne sepse do të kemi edhe tifozët me vete. Ne do ta vlerësojmë maksimalisht Juventusin, por pa e mbivlerësuar, pasi edhe ne kemi një ekip shumë të mirë. Shpresojmë të dalim me rezultat pozitiv dhe të arrijmë objektivat që ka klub.
Përveç kampionatit kombëtar, ku jeni një superfuqi absolute prej 8 vitesh, Vllaznia tashmë është një garanci edhe në Europë. Cili është çelësi i suksesit në rezultatet e skuadrës suaj?
Çelësi i suksesit të Vllaznisë është puna që bëjmë çdo ditë. Në skuadrën tonë vetëm për Krishtlindje dhe për Bajram pushohet, pasi gjatë gjithë vitit punohet me shumë rregull dhe disiplinë. Kjo gjë ka bërë që të arrijmë edhe rezultatet që tashmë dihen. Gjithashtu drejtuesit dhe stafi na qëndrojnë pranë gjatë gjithë kohës. Të gjitha këto e bëjnë Vllazninë të jetë këtu ku është sot. Siç dihet kampionati italian i futbollit është shumë i ndjekur në Shqipëri.
Për kë bën tifo Megi Doçi në Serinë A?
Të them të drejtën unë jam më shumë me futbollin gjerman. Jam tifoze e zjarrtë e Bajernit dhe e Gjermanisë, por duke qenë gjithashtu një fanse e Kristiano Ronaldos, të cilin e kam idhull, në Itali jam pa dyshim me Juventusin. Megjithatë do të bëj maksimumin për t’i shënuar.