Shumë prej futbollistëve shkodranë janë në merkato ditët e fundit. Kështu, dikush prej tyre kërkon Superligën, të tjerë kategorinë e parë apo dhe më tutje. E rëndësishme për ta është të gjejnë “një strehë” ku të luajnë futboll dhe të sigurojnë disa të ardhura financiare. Kështu mesfushori Erjon Hoti pasi ka luajtur me Dinamon në fazën e parë të kampionatit, tashmë është shumë pranë arritjes së një marëveshje me Pogradecin. Drejtuesit e tij e kanë pëlqyer dhe ka mbetur vetëm mbyllja e anës financiare të kontratës. Po ashtu, në Superligë kërkon të luajë edhe sulmuesi 20 vjeçar Edison Puka.

I dalë nga Akademia Vllaznia, ai në fazën e parë ka luajtur me Adën dhe tashmë është duke u stërvitur me Dinamon dhe të gjitha gjasat janë që ai t’i bindë drejtuesit e kësaj skuadre. Po ashtu me Dinamon po kërkon të arrijë një marëveshje edhe ish-futbollisti i Vllaznisë Sadush Danaj. Lezhjani është lënë i lirë nga kuqeblutë dhe po kërkon një skuadër të re. Nga ana tjetër, sulmuesi Renis Mehja që ka luajtur me Besëlidhjen është ofruar tek Partizani me shpresë se do luajë për këtë skuadër. Dhe lajmi i fundit i merkatos së futbollistëve shkodranë është se portieri i Vllaznisë Fabjol Rexhepi është huazuar për 6 muaj tek Naftëtari i Kuçovës.

www.shkodrasport.com