Pas 26 javësh të luajtura, vazhdimi i Kategorisë Superiore u ndal më 12 mars për shkak të përhapjes së Koronavirusit. Sot bëhen plot 63 ditë nga ndeshjet e fundit që janë zhvilluar për llogari të kampionatit, pikërisht ato në Korçë dhe Shkodër më 9 mars, ku Skënderbeu mposhti Kukësin 2-1 dhe Vllaznia fitoi minimalisht 1-0 ndaj Partizanit.
Në një vëzhgim të “Panorama Sport” për lojtarët më të ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe të kuq pas 26 javësh, bie në sy dominimi i ekipit të Teutës, që në fakt thuajse çdo sezon ka qenë fitues në renditjen “FAIRPLAY”.
Rekordin për të verdhët e mban pikërisht mesfushori i “djemve të detit”, Albano Aleksi, me 11 të tillë. Pas tij vjen mesfushori i Luftëtarit, Donaldo Açka, me 10 kartonë, si dhe ai i Vllaznisë, Behar Ramadani, me 9 ndëshkime me të verdhë dhe një herë me karton të kuq. Listës së pesë futbollistëve që janë zverdhur më shumë, i shtohen edhe qendërmbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, si dhe sulmuesi i Flamurtarit, Andi Ribaj, të dy me nga 9 kartonë.
Ajo që e bashkon Aleksin, Açkën dhe Ramadanin është se janë të tre mesfushorë shkatërrues dhe roli që kanë i bën më të ekspozuar për t’u ndëshkuar, edhe pse kjo nuk mund të shërbejë si alibi. Tre lojtarët i bashkon dhe fakti se vetëm një sezon më parë luanin në një skuadër: Luftëtari.
Si për koincidencë, edhe Hoxha në kampionatin e kaluar ishte pjesë e gjirokastritëve bashkë me tre rekordmenët e kartonëve. E çuditshme mund të thuhet se si një sulmues si Ribaj merr kaq shumë të verdhë për vetë pozicionin që ka. Ndërkohë, të shumtë janë futbollistët me nga 8 kartonë, por që te pesë të parët me nga 11, 10 dhe 9, diferencën e bënin pikërisht Aleksi, Açka, Ramadani, Hoxha dhe Ribaj.
Ndërsa sa u përket kartonëve të kuq, ata që kanë rekordin me nga dy secili këtë kampionat janë mbrojtësi i djathtë maqedonas i Teutës, Bllagoja Todorovski, mesfushori argjentinas i Tiranës, Agustin Torasa, si dhe sulmuesi nigerian i Partizanit, Theofilus Solomon. Me po kaq të kuq është edhe mbrojtësi vlonjat, Valto Zeqaj, por ky i fundit luajti vetëm pjesën e parë të sezonit me Flamurtarin dhe më pas iku në Kosovë te një tjetër Flamurtar, pikërisht tek ai i Prishtinës.