Nuk ka ende një datë për rifillimin e futbollit në Shqipëri, ndonëse FSHF prej ditësh është në bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë, të cilëve iu ka paraqitur edhe protokollin e sigurisë për zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve.

Sigurisht me rifillimin e mundshëm të kampionatit, e sigurt është që ndeshjet do të luhen pa praninë e tifozëve, për të mos rrezikuar më shumë për tu infektuar tifozët.

Pikërisht për këtë, ish-lojtari i Kombëtares dhe ish-trajner i Vllaznisë, Roland Luçi i ka propozuar një zgjidhje, kundër stadiumeve bosh. Luçi në një postim në profilin e tij zyrtar ka dhënë 4 zgjidhje, se si mund të luheshin ndeshjet me praninë e tifozëve:

“FSHF, futboll me dyer te mbyllura? Virusi i hiperbolizuar ka ndryshuar shumë gjëra, por me shpresë se do të kthehemi në normalitet. Pa bërë hartim të gjatë, e kam për futbollin. Ndeshja më e tensionuar, më kulmore e një Botërori apo Championsi kurrë nuk mund te ndiqet pa zë, pa ton, pa volum edhe sikur stadiumet të jenë plot dhe optikisht te transmetohet ndjesia e një gjendje emocionale shpërthyese dhe adrenaline të ngritur.

Imagjinoni që dhe sipas projekteve te vazhdimësive te aktivitetit futbollistik stadiumet te jene totalisht bosh! Do të mateshin forcat ne zbrazëtire, detyrimisht përcillet mesazhi se këtu nuk vlen gjë, është një rutine statistikore qe duhet përfunduar disi dhe kaq.

Për telespektatorin një eveniment i mërzitshëm dhe kurioziteti do te shuhej shpejt. Milionat e telespektatoreve qe do te ngulen para ekranit qe pretendon te ketë parë në ëndërr Mourinjo mbesin ne ëndrrat e tij. Njëlloj zgjidhjeje do te ishte duke respektuar dhe rregullat e distancës te qëndrimit jashtë, d.m.th.:

1-Një spektator – dy karrige bosh – një spektator

2-Një rresht spektatorësh – dy rreshta bosh – rresht spektatorësh

3-Detyrim mbajtje të maskës mbrojtëse në respekt të sugjerimeve të OBSH.

4-Tribunat pa karrige spektatorësh te qëndrojnë te mbyllura që të shmangen grumbullimet, paçka se grumbullime te ngjashme qeveria i lejon në tregjet fshatare…

Do te ishte një zgjidhje interesante jo vetëm për Shqipërinë me stadiume çerek plot e ngjeshje te tifozëve në një qoshe, që në këtë rast do te duken disi me plot. Do te ishte një zgjidhje që edhe Mourinjos mund ti pëlqente…”, shkruan Luçi.