Nuk ka zgjatur shumë aventura e mesfushorit nigerian të Egnatias, Ojediran Hamzat, në Rrogozhinë. I ardhur në “pikun” e verës së nxehtë të vitit të shkuar, futbollisti pak ditë para se të mbyllej viti 2022, ka marrë një ftesë nga përfaqësuesja U-21 e vendit të tij dhe KF Egnatia i ka dhënë lejen futbollistit, sipas klauzolave të kontratës, që ai t’i bashkohet “Shpresës” nigeriane.

Edhe pasi hyri viti 2023, lojtari duket se ka zhvilluar në fshehtësi të plotë bisedime dhe ka lënë të hapur mundësinë e kalimit të tij në një skuadër tjetër. Themi kështu se që pas mbylljes së vitit 2022, Ojediron Hamzat nuk u kthye më tek Egnatia. Burime të sigurta në klubin Rrogozhinas, saktësojnë se sot Hamzat do të nënshkruajë marrëveshjen e kalimit të tij drejt skuadrës së mirënjohur hungareze të Debrecen.

Tashmë kjo mundësi e artë i ka ardhur në derë mesfushorit këmbëshpejtë, që në Rrogozhinë, shumë tifozë syresh, nisën ta quajnë me epitetin “roboti” falë shkathtësisë dhe universalizmit që ai shfaqte në lojë.

Duket se tashmë historia e shkurtër e dashurisë do të mbyllet sot me një dashuri të re, pikërisht në ditën e të dashuruarve, pasi do të përfundojë me sukses nënshkrimi i marrëveshjes mes klubeve të Egnatias dhe Debrecenit. KF Egnatia, nga burime që nuk duan të identifikohen, kemi mësuar se nga ky kalim i nigerianit nga KF Egnatia drejt Hungarisë ka vënë kushtin e që vlera e transferimit të mos jetë në asnjë rast më e vogël se 100 mijë euro.

Nigeriani, sipas informacioneve të besueshme, që morëm dje nga drejtuesit e ekipit, ka ditën e hedhjes së firmës për të lënë tashmë Egnatian, ku të gjithë e vlerësuan dhe respektuan për aftësinë dhe talentin e tij, dhe do të zbarkojë nga nesër të bëhet pjesë e skuadrës së tij të re, hungareze e Debrecen, një klub me njohje të vjetra edhe në arenën ndërkombëtare.

NGJARJA – Bëri shumë bujë në javën e dytë të fazës së parë, ndërhyrja e ashpër e nigerianit Ojediran Hamzat në dyluftim me të riun e Tiranës Klevis Qefalija. Ky i fundit mori një goditje të rëndë dhe iu desh të largohej në mënyrë urgjente nga ndeshja Egnatia-Tirana e javës së dytë (mbyllur 0-2) nga mesi i lojës së parë në mënyrë të frikshme drejt spitalit të traumës në kryeqytet ku qëndroi i shtruar për disa ditë.

Dhe… për fatin e tij të mirë, futbollisti tashmë e ka kaluar situatën e vështirë dhe është rikthyer të luajë për bardheblutë kryeqytetas. Në 10 ndeshje që luajti për ngjyrat jeshilzeza të Egnatias, nigeriani Ojediron Hamzat do të mbahet mend edhe për 4 kartonë të verdhë, pasi nga natyra tregonte se ishte një lojtar shumë impulsiv, duke u ndodhur gjithnjë e më shpesh aty ku ndodhej topi, por ndonjëherë edhe duke mos i kontrolluar si duhet edhe nervat.