Të shtunën në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të zhvillohet ndeshja e javës së parë të kampionatit kombëtar të volejbollit të femrave në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Tiranës.

Në kampin shkodran kanë kohë që përgatiten për këtë ndeshje dhe kuptohet që dëshira është për ta nisur me fitore kampionatin.

Këtë gjë thotë edhe një nga pikat më të forta të kësaj skuadre, pikërisht shuterja Antoneta Molla e cila në një prononcim për “Shkodra Sport” do të shprehej:

“Kjo është një ndeshje shumë e vështirë sepse luajmë përballë një skuadre me shumë përvojë si Tirana. Objektivi i Vllaznisë është për t’u renditur në katër ekipet më të mira të vendit dhe pse jo, ndoshta edhe më lart, megjithatë e rëndësishme është ta nisim mirë kampionatin.

Kemi bërë shumë përgatitje gjatë këtyre tre muajve megjithatë në ekip janë ofruar disa vajza të reja të cilat nuk kanë përvojën e duhur dhe ndoshta duan pak kohë, por besoj se do të bëjmë gjëra të mira”.
© shkodrasport.com