Fitorja e Tiranës në derbi, barazimi i Vllaznisë në Rrogozhinë apo dhe humbja e Kukësit në Korçë, gjithçka që ka ndodhur në javën e tetë të Abissnet Superiore në analizën e Shkëlqim Muçës në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH Sport.

Barazimi i Vllaznisë – “Barazimi ishte i drejtë. Ishte një lojë jo e mirë e të dy skuadrave, pa agresivitet. Po të shikojmë Vllaznia ka numëruar gjashtë faulla. Duhet më shumë shpirt. Egnatia bën atë lojën e vet, është ngritur, në fushën e saj është shumë e vështirë ti marrësh rezultat.

Vllaznia ka shumë problem loje, ka ndryshuar shumë. E gjithë skuadra po luante ngadaltë. Në përgjithësi loja ishte shumë e lexueshme, shumë e ngadaltë. Sulmuesit nuk sakrifikojnë në aspektin mbrojtës. Një skuadër e madhe duhet të menaxhojë humbjen. Vllaznia nuk e pranoi humbjen me Tiranën, këto janë pasojat. Prandaj duhet qetësi. Më e vështirë është të menaxhosh humbjen, jo fitoren”.

Fitorja e Tiranës në derbi – “Tirana është më përpara te loja e grupit se Dinamo. Bardheblutë bëjnë lojë grupi, janë të harmonizuar. Dinamo është e pakonsoliduar, krijon shumë hapësira, ka mangësi. Gabimet që bëri me Kukësin, i përsëriti edhe me Tiranën, janë po ato gabime. Dinamo duhet të harmonizuar më shumë në fazën mbrojtëse. Lojtari që luan para mbrojtjes është i improvizuar. Po ti shikosh me individë, në të njëjtin nivel janë skuadrat shqiptare, diferencën e bën loja në grup. Te Tirana po shikohet se po funksionon çdo gjë, lojtarët po rriten”.

Suksesi i Laçit – “Fitore e pastër, e merituar, Laçi ka fituar qetësinë. Të gjithë kemi qënë të bindur edhe më parë se skuadra ishte po ajo, por i mungonte rezultati. Josa ka sjellë qetësi, e njeh mirë kampionatin. Mendoj se skuadra është në një moment të mirë, ka stabilitet. Tri fitore radhazi nuk janë pak”.

Fitorja e parë e Partizanit – “Sigurisht që fitorja pritej edhe në ndeshjet e mëparshme. Ishte një ndeshje e fortë, edhe Kastrioti bëri një ndeshje të mirë. Goli i parë ia bëri më të lehtë Partizanit. Pak problem ka, por të fitosh aty është shumë e vështirë. Ishte një fitore shumë e rëndësishme, kampionati ka shumë ndeshje, nuk është ky fundi”.

Humbja e Kukësit – “Kukësi nuk ishte ajo skuadër që kemi parë në javët e kaluara. Skënderbeu e goditi, përveç golave kishte dhe raste të tjera. Është një skuadër që do ia bëjë të vështirë çdo kundërshtari, ka karakter. Për Kukësin mund të them se ishte një humbje e merituar, bëri shumë pak për të marrë më shumë nga kjo sfidë”.