Laçi është zgjuar, një meritë ka dhe trajneri Mirel Josa, i cili duket se ka sjellë mentalitetin e duhur në skuadër. Për të analizuar situatën e kurbinasve ka menduar një nga lojtarët më të spikatur të kësaj skuadre, Mentor Mazrekaj, i cili në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH Sport ka deklaruar:

“Javët e para na ishin bërë makth, pësonim gola sa herë që na vinin te porta. Ishte stili i trajnerit, nuk i kishim lojtarët për atë lojë. Kishim shumë problem në javët e para, ishte e turpshme. Tani qetësia e trajnerit Josa është thelbësore. Akoma nuk e kemi parë kur të humbasim, por deri tani…”.

“Kemi bërë merkato të mirë, por lojtarët e ardhur duan kohën e duhur. Tani jemi në një moment të mirë. Laçi për kampion? Jo ne nuk jemi për kampion, kam thënë që janë shtatë skuadra pretendente për Kupat e Europës”.

“Skuadrat pretendente? Unë shikoj vetëm dy skuadra si më të kompletuaara: Tirana dhe Vllaznia”.

“Pretendimet e Egnatias? Çdo vit në Shqipëri një skuadër niset kështu si Egnatia. Këtë vit janë shtatë skuadra që pretendojnë. Po u fut edhe Egnatia, atëherë i bie që të pretendojnë të gjitha”.

“Dinamo? Lojtarët që kanë luftuar gjithmonë për mbijetesë nuk mund të ndryshojnë, nuk kanë mentalitetin e duhur për të luftuar për titull”.

“Partizani? Nuk e ka vendin aty ku është, mendoj se do të ngrihet shumë shpejt. Nuk është e lehtë të fitosh përballë Kastriotit, pasi është një skuadër shumë aggresive”