Ecuria jo e mirë e Vllaznisë në ndeshjet e fundit të kampionatit natyrisht që ka shkaktuar jo pak debate në opinionin sportiv shkodran. Gjendja e skuadrës, ana financiare, mbështetja e tifozëve dhe shumë gjëra të tjera, nuk janë për një ekip që lufton për të mos rënë nga kategoria. Në një situatë të tillë, shumëkush pyet nëse është fajtor trajneri I kësaj skuadre, Agim Canaj. Madje, në konferencën e shtypit të pasndeshjes me Partizanin, ai është pyetur nëse ndjehet I rrezikuar nga ndonjë shkarkim I mundshëm nga ana e drejtuesve të klubit. Por Canaj është treguar I qetë në këtë drejtim duke thënë:

“Kur kam ardhur tek Vllaznia nuk kam garantuar titullin kampion por pretendimet tona kanë qenë për të qëndruar në kategori. Në rrethana të tilla po mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ia arritur kësaj. Unë nuk dua të rri me zor por po mundohem të bëj detyrën time në krye të kësaj skuadre”- ka thënë ai.Në fakt ecuria e Canajt në krye të Vllaznisë duket e njëjta me atë të para shtatë viteve. E fillon mjaft mirë kampionatin me skuadrën që drejton, por rrugës planet ndryshojnë. Para shtatë vitesh në fakt nuk arriti ta mbyllë sezonin në krye të skuadrës. Tani është ende aty. Të paktën deri në ndeshjen e rradhës, atë me Flamurtarin të mërkurën për kupën e Shqipërisë. 
© shkodrasport.com