“Marash Kumbulla me 100% do të jetë pjesë e Romës në edicionin e ardhshëm”. Këto janë fjalët e Zhoze Murinjos një ditë para finales të Ligës së Konferencës në Tiranë.
Një premtim që ndoshta nuk do të mbahet nga tekniku portugez, pasi në Itali e shohin mbrojtësin shqiptar drejt largimit nga verdhekuqtë.
Sipas mediave italiane, për lojtarin interesohen klubet e Torinos, Bolonjës, Sampdorias dhe Fiorentinës, të cilat janë të gatshme të hidhen në garë për futbollistin që e shohin si një element shumë të rëndësishëm për të përforcuar radhët e tyre.
Megjithatë, Roma nuk i ka vendosur një çmim të ulët futbollistit, duke bërë të qartë se çdo diskutim poshtë vlerës 20 milionë euro për kartonin e tij është i kotë.
Një shifër që mund të bllokojë një marrëveshje të mundshme, por që gjithsesi tregon se Murinjo është gati të heqë dorë nga djaloshi shqiptar, edhe pse pak ditë më parë deklaronte se e kishte në planet e tij për të ardhmen.