Kur u afrua me kombëtaren në vendin e Lorik Canës, të gjithë kishin dyshime për mbrojtësin Frederic Veselin. Në fakt, nuk është se tani lëmë kokën pas tij, pasi lojtari është shumë larg kapitenit.

Pavarësisht kësaj, shtatlarti ka gjetur veten në formacionin e trajnerit Christian Panucci, por dhe ecuria te skuadra e Empoli-t ka qenë e mirë. Në Seria B ka luajtur si titullar dhe ka qenë lider, ndërsa në Seria A më pak.

Ai nuk e nisi në formacion sezonin, pasi ka luajtur vetëm në dy ndeshje. Shqiptari u aktivizua për të vonuar lojë në takimin që Empoli fitoi ndaj Cagliari-t, ndërsa pas kthimit nga kombëtarja e Shqipërisë luajti në formacion kundër Lazios.

Skuadra e tij humbi me rezultatin 0-1, por i rëndësishëm është fakti që luajti 90-minuta si mbrojtës i krahut të majtë.

Takimi i radhës kundër Sasuolos mund ta gjejë sërish në stol. Mediet italiane shkruajnë se Veseli ka probleme. Mbrojtësi po vuan nga një dëmtim muskular që e ka marrë në periudhën që ishte i grumbulluar me kombëtaren shqiptare.
Në fakt, italianët nuk kanë faj, pasi 25-vjeçari u zëvendësua nga trajneri në takimin kundër Izraelit. Ai la fushën e lojës në minutën e 84′ duke i lënë vend Mavrajt.

Në sfidën kundër Skocisë sakrifikoi dhe luajti për 90 minuta, u zëvendësua nga Mihaj në shtesë për të djegur këtë të fundit. Shpresojmë që ky dëmtim të mos ndikojë në ecurinë e tij, pasi shqiptari sapo gjeti formacionin.