Sindri Guri është kthyer përsëri në qendër të vëmendjes në futbollin belg, pasi skuadra e Ostendes po shfaq vështirësi të mëdha për të gjetur rrugën e rrjetës, edhe pse në fillim të sezonit shihej si një nga ekipet më premtuese me emra të rinj në përbërje.

Sulmuesi ka gjetur vetëm një herë rrugën e rrjetës në këto sfida dhe ka filluar të zëvendësohet gjithnjë e më shpesh nga trajneri.

Por sipas një prej lojtarëve më të vjetër të Ostende, Fernando Kanesi, problemi i Gurit dhe ai i sulmuesit tjetër, Sakala, ka një shpjegim të thjeshtë. Sipas tij, do pak kohë që lojtarët të ndërthuren plotësisht në skemat e lojës të skuadrës dhe futbollin belg.

“Është e vërtetë që nuk prodhojmë shumë në fazën ofensive. Na mungojnë disa automatizma. Mendoj se meqë Guri dhe Sakala vijnë nga një kampionat tjetër, gjërat nuk shkonin edhe aq mirë në këtë aspekt”, tha futbollisti i cili është pjesë e Ostendes që nga viti 2013.

Gjithsesi, Guri pritet të ketë përsëri rol protagonisti në klubin e tij. Te Ostende janë të bindur se kanë marrë një lojtar cilësor dhe nëse do të përshtatet në kohën e duhur, do të mund të tregojë të gjitha vlerat e tij në radhët e kësaj skuadre. /vipsport/