Prej ditësh po qarkullon në opinionin sportiv lajmi se Gjykata Federale e Zvicrës e ka dhënë vendimin për çështjen “Skënderbeu”. Vendim i cili pretendohet se i është bërë me dije klubit bardhekuq, ndonëse nuk është bërë publik.

Një lajm ky që ka shkaktuar zhurmë të madhe në lidhje me vërtetësinë e tij, por edhe me vijimësinë e projektit të Skënderbeut në varësi të asaj çka është vendosur.

Nisur nga një situatë e tillë, Skënderbeu ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, ku thuhet se vendimi i Gjykatës Federale për dënimin e klubit korçar ende nuk ka ardhur, ndryshe nga sa është përfolur së fundmi.

MANOVRA NË UEFA – Pa dyshim që dalja e një vendimi zyrtar nga ana e Gjykatës Federale në Zvicër do të sillte menjëherë planin e veprimit të klubit bardhekuq, në të dyja rastet. Nëse vendimi do të ishte pozitiv, atëherë do të kishim një rikthim të Skënderbeut në pozicionin e pretendentit për sezonin e ardhshëm.

Në të kundërt, klubi do të shihte rrugën që do të ndiqej në rast se vendimi do të ishte negativ. Në të tilla kushte korçarët janë ende nën ankthin e pritjes. Ndërsa nga sa bëhet me dije nga burime pranë klubit, vendimi i Gjykatës Federale pritet që të bëhet publik menjëherë pas mbylljes së kampionatit.

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime të ndryshme, si pranë klubit dhe FSHF-së, se Skënderbeu po mundohet të vërë në veprim manovrën e tij duke negociuar me UEFA-n.

Këto burime bëjnë me dije se klubi korçar kërkon të arrijë një marrëveshje me UEFA-n për reduktimin e dënimit të dhënë, duke u mjaftuar me periudhën që kanë shlyer deri tani. Ndaj, me shpresën e arritjes së këtij qëllimi, Skënderbeu nuk heq dorë nga sigurimi i një bilete për në Kupat e Europës.

Skënderbeu është dënuar me 10 kualifikime mospjesëmarrje në Europë, ku nga këto ka shlyer katër vite deri tani. Kjo marrëveshje mund të ishte e leverdishme për të dyja palët për momentin, pasi UEFA ia ka arritur qëllimit duke e bërë Skënderbeun shembull ndërkombëtar, por edhe korçarëve do t’u jepte mundësinë për t’u kthyer më shpejt te projektet e mëdha, ashtu si në vitet “e arta”.